Ekranet janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme. Nga email-et në laptop deri te rrjetet sociale në telefon, të rriturit kalojnë mesatarisht mbi gjashtë orë në ditë përpara ekraneve, rreth një e treta e kohës që jemi zgjuar. Kalimi drejt punës në distancë e ka përkeqësuar këtë fenomen. Takimet në Zoom, mesazhet në Slack apo dokumentet në Google nuk i japin syve asnjë pushim.
Sipas optometristes Shahina Pardhan nga Universiteti Anglia Ruskin në Mbretërinë e Bashkuar, problemi kryesor është lodhja e muskujve të syrit.
Kur shikoni nga afër një ekran, si ai i telefonit, sytë duhet të fokusojnë në atë distancë të shkurtër. Kjo kërkon punë nga muskuj të veçantë në sy. Me kalimin e moshës, këta muskuj lodhen më lehtë dhe shfaqen problemet. Kjo mund të çojë në një sërë shqetësimesh, të njohura si Sindroma e Shikimit nga Kompjuteri (CVS), që përfshin tharje të syve, dhimbje koke, turbullim shikimi dhe lodhje, përcjell shqip.al.
Por simptomat nuk janë të pashmangshme. Më poshtë janë pesë mënyra të thjeshta për t’i dhënë syve pak pushim dhe për të ruajtur shikimin në afatgjatë.
1. Zbatoni rregullin 20-20-20
Ky është një nga rekomandimet më të njohura për të reduktuar lodhjen vizuale. Çdo 20 minuta, shikoni diçka që ndodhet 6 metra larg për të paktën 20 sekonda. Kjo ndihmon në relaksimin e muskujve të syrit dhe të evitoni tharjen e tyre.
2. Rregulloni vendin e punës
Pozicioni i ekranit ka rëndësi. Mbajeni gjithmonë në nivelin e syve për të shmangur tendosjen e qafës dhe shpinës. Ndriçimi gjithashtu ka ndikim: shmangni dritat direkte dhe reflektimet. Përdorni perde, filtra antireflektues ose vendosni ndriçim të butë dhe të shpërndarë në dhomë.
3. Mos harroni të mbyllni sytë
Kur jemi të përqendruar te ekrani, rrahjet e qepallave bien ndjeshëm, nga 15-20 herë në minutë në vetëm 4-6 herë. Kjo shkakton tharje të syve. Vendosni një kujtesë të vogël në monitor, ose një shenjë vizuale për t’u kujtuar. Në mjedise të thata, mbani një enë me ujë ose një vazo me lule për të rritur lagështinë në ajër.
4. Përdorni filtra për dritën blu
Drita blu nga ekranet LED, sidomos në errësirë, mund të ndikojë negativisht në retinë dhe të shkaktojë shqetësime. Aktivizoni “modalitetin e natës” në pajisjet tuaja ose përdorni syze që filtrojnë dritën blu, veçanërisht në mbrëmje. Megjithatë, kujdes: këto filtra nuk parandalojnë sëmundjet e rënda të syrit.
5. Kufizoni kohën jashtë orarit të punës
Edhe kur mbaron puna, zakonisht drejtohemi te ekranet për argëtim. Këto momente shtesë lodhin sytë pa e kuptuar. Përdorni aplikacione që ju ndihmojnë të monitoroni dhe reduktoni kohën para ekranit. Aplikacioni Forest ju “rrit një pemë” sa herë që rrini larg telefonit, nëse nuk rezistoni, ajo thahet. Ndërsa OneSec ju jep një sekondë për të reflektuar para se të hapni aplikacione si Instagram, duke ju ndihmuar të frenoni zakonet automatike.
Në fund të ditës, syve u duhet pushim po aq sa edhe mendjes. Ruani shëndetin e tyre me disa zakone të thjeshta. /Katror.info