BE në Kosovë priti një takim të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG), i kryesuar nga UN Women Kosova dhe Agjencia për Barazi Gjinore.
Prej 18 vitesh, SGG ka bashkuar institucionet, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare për të promovuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Në fjalën e saj hyrëse, Eva Palatova, Zëvendësshefe e BE-së në Kosovë, rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për gratë në Kosovë:
“Si një vend post-konflikt, Kosova duhet ta ketë sigurinë e grave lart në agjendë. Prandaj, BE në Kosovë së fundmi ka kontraktuar Rrjetin e Grave të Kosovës për të realizuar një Analizë Gjinore mbi Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Gjetjet do t’u shërbejnë autoriteteve, shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë në përmirësimin e sigurisë dhe mirëqenies së grave në Kosovë. BE në Kosovë, ashtu si edhe kudo në botë, thekson nevojën për një Plan Veprimi Kombëtar të veçantë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, për të arritur ndryshime konkrete për gratë në terren.”/ Katror.info