Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho entuziazmoi mbrëmë publikun në Tiranë, ndërsa u rikthye me koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të titulluar “Kur ndjenjat marrin zë”.
Ashtu sikundër është deviza e saj, Jaho performoi në tempullin të muzikës klasike sikur të dilte për herë të parë dhe të fundit në skenë, duke dhënë gjithçka nga shpirti dhe talenti i saj.
Salla kishte mbledhur publik të zgjedhur, nga artistë e kolegë, aktorë, regjisorë, profesionistë të fushave të artit dhe të kulturës.
“Muzika është gjuhë e shpirtit dhe në çdo notë, ka një buzëqeshje, lot, hidhërim, vuajtje”, u shpreh Jaho përpara koncertit dhe të gjitha këto variacione të shpirtit njerëzor u ndjenë nga publiku në veprat e interpretuara.
Me figurën e saj elegante, veshur bardhezi, Jaho arriti të mbante “peshë” publikun nga fillimi deri në fund.
Koncerti i mbrëmjes së sotme ishte i veçantë për sopranon, pasi rikthehej në skenën e TKOB për të dhënë nga eksperienca e saj, tashmë e jashtëzakonshme edhe në skenat botërore.
Ashtu si çdo herë kur kthehesh në shtëpi, sepse skena e TKOB është e atillë për Jahon, edhe këtë herë ajo solli shumëçka nga jeta e saj.
Programi i zgjedhur ishte pak ndryshe, duke filluar me Belganton, një program sfidues i paluajtur më parë në TKOB.
Kjo veçanti e koncertit ishte dhe një nga shtysat që mbushi plot sallën e madhe, ndërsa nuk mungonin të rinjtë që ashtu si Ermonela dikur, shpresojnë të ndjekin ëndrrat e tyre drejt skenave të botës.
Koncerti “Kur ndjenjat marrin zë” erdhi nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati, dhe me pjesëmarrjen e korit dhe orkestrës së TKOBAP-së.
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është ndër zërat brilantë, me karrierë të suksesshme. Me albumin e saj “Anima Rara” dalë në treg në shtator 2020, ajo ka marrë vlerësime të shumta.
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho fitoi edhe çmimin “Artistja e huaj më e mirë” për vitin 2023, për interpretimin e “Suor Angelica” në Barcelonë./atsh/Katror.info