Komandanti i misionit të KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur sot në shtabin e KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë komandantin e Brigadës së 7-të të ushtrisë britanike, Andrew Watson.
Sipas njoftimit të KFOR-it, dy komandantët diskutuan mbi dinamikën aktuale të sigurisë në Kosovë si dhe kontekstin më të gjerë rajonal.
“Gjeneral Brigade Watson përgëzoi rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në nxitjen e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, gjenerali Barduani shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe profesionalizmin e trupave britanike, me theks të veçantë për Gardën Skoceze, e cila është e vendosur në Kosovë si pjesë e forcave rezervë të NATO-s.
KFOR theksoi se vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), duke respektuar rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë./Katror.info