Omani fsheh oaze të kaltërta mes shkretëtirës dhe maleve, të njohura si wadi.
Omani, në skajin jugor të Gadishullit Arabik, është një vend që të mahnit me kontrastet e tij: maja të thepisura, duna të pafundme rëre, qytete të lashta dhe plazhe me rërë të artë. Larg shkëlqimit të Dubait fqinj, ky shtet tërheq vizitorë që kërkojnë peizazhe të paprekura, mikpritje tradicionale dhe siguri, e veçanërisht gjithnjë e më shumë gra që udhëtojnë vetëm.
Ajo që e bën sultanatin unik është përqendrimi i lartë i wadive: lugina shkëmbore të mbushura me ujë kristal, ideale për not, ecje, ngjitje shkëmbore dhe aventura të tjera. Disa prej tyre janë kaq të fshehta, sa mezi gjenden në hartë; të tjera janë të famshme dhe të vizituara çdo vit nga qindra njerëz.
Në arabisht, fjala “wadi” do të thotë “lugine”. Këto vende të mrekullueshme, shpesh të pazbuluara, janë të shpërndara në të gjithë vendin dhe secila ofron një përvojë unike. Disa janë të aksesueshme lehtësisht e të pajisura me restorante e shërbime, të tjera kërkojnë guidë profesionale, makina 4×4 dhe orë të tëra ecje mes maleve e kanioneve.

Për këtë arsye, udhëtimi me makinë mbetet mënyra më e mirë për të eksploruar Omanin dhe për të bërë një “road trip” një udhëtim me makinë nga një wadi në tjetrin.
Koha më e mirë për të vizituar është nga tetori deri në mars, kur temperaturat janë më të buta dhe aktivitetet bëhen më të lehta. Në mëngjes, nën dritën e hershme, wadit shfaqen të qetë e të paprekur, ndërsa pas mesditës dielli i fortë e bën më të vështirë eksplorimin.
Kujdesi për motin është thelbësor, sepse reshjet e papritura mund të sjellin përmbytje të rrezikshme.
5 nga wadit më të bukur të Omanit
Wadi Bani Khalid – 2.5 orë nga Muscati, i lehtë për t’u arritur. Me ujëra smeraldi, palmë e shëtitore guri. Shumë i dashur si nga vendasit ashtu edhe nga turistët.
Wadi Shab – 1 orë e 40 minuta nga Muscati. Fillon me një udhëtim të shkurtër me barkë, pastaj një shteg dy milje. Përfundon me një shpellë të fshehtë dhe një ujëvarë të brendshme.
Wadi Al Arbeieen – 90 minuta nga Muscati. Një perlë e fshehur, pak e vizituar dhe e vështirë për t’u gjetur, shpesh kërkon guidë. Ofron pellgje të shumta dhe mundësi për sporte aventure.
Wadi Tiwi – 3.5 orë nga Muscati. Për aventurierët e vërtetë: ecje, ngjitje dhe zbritje me litar për të arritur tek ujëvarat dhe ujërat kristal.
Wadi Bimah (Snake Canyon) – pjesë e Wadi Bani Awf. E njohur për kanionin e ngushtë e të gjatë. Popullore për canyoning, hedhje nga shkëmbinjtë dhe sporte ekstreme. Kërkon patjetër guidë profesionale. /AP/Katror.info