Inteligjenca artificiale u bë pjesë e Javës së Modës në New York, duke sjellë koleksione dhe modele digjitale.
Në një kohë kur pothuajse çdo kompani po eksperimenton me inteligjencën artificiale dhe ekspertët theksojnë se shumë shpejt ajo do të bëhet pjesë e jetës sonë të përditshme, nuk është çudi që markat më të mëdha të modës vendosën t’i japin një shans teknologjisë gjatë Javës së Modës në New York.
Sipas një raportimi nga Washington Post, në pasarela u panë koleksione të frymëzuara nga AI, modele të krijuara nga AI, drejtues ekzekutivë të platformave digjitale që bisedonin me elitën e modës, prova virtuale veshjesh dhe madje versione digjitale të dizajnerëve të famshëm që ofronin komente “robotike”. Rezultatet e gjashtë ditëve të shfaqjeve ishin shpesh më të çuditshme sesa frymëzuese.
Industria kishte nisur eksperimentimin me AI edhe më herët. Marka J. Crew përdori inteligjencën artificiale për të gjeneruar imazhe në stilin e katalogëve të saj të viteve ’90 për një bashkëpunim me Vans.

Startup-i SpreeAI prezantoi teknologjinë për prova virtuale të veshjeve: përdoruesit ngarkojnë një foto dhe sistemi zbulon përmasat e trupit me 99% saktësi, duke sugjeruar nëse veshja u shkon apo jo. Një tjetër risi erdhi nga Google, me funksionin “try-on” që i lejon përdoruesit të provojnë veshje drejtpërdrejt nga pasarela në një selfie digjitale.
Edhe Ralph Lauren prezantoi një mjet të ri, “Ask Ralph”, një asistent AI që jep sugjerime stilimi. Megjithatë, teknologjia nuk arrinte të riprodhonte tonin karakteristik të vetë dizajnerit.
Disa shfaqje shfrytëzuan AI si element artistik. Private Policy krijoi një atmosferë “Future-Tech Americana” me tinguj zërash kompjuterikë që diskutonin marrëdhënien mes njeriut dhe teknologjisë.
Dizajnerja afro-braziliane Loza Maleombho përdori AI për të kombinuar trashëgiminë afrikane me vizione futuriste, duke projektuar një film 15-minutësh mbi një “tekno-eko-utopi afrikane” mbi modelet dhe muret e sallës.
Një tjetër moment spektakolar erdhi kur një model shoqëroi në pistë robotin Bao Bao, një makinë e vogël me rrota nga kompania kineze MirrorMe. Roboti u shfaq si “simbol i bashkëjetesës së modës me teknologjinë”, duke tërhequr vëmendjen e publikut në fund të sfilatës. /AP/Katror.info