Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij njeh zyrtarisht shtetin palestinez. Udhëheqësi francez tha se me këtë vendim ai po vepron në interes të paqes, mes kritikave nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
“Në përputhje me zotimin historik të shtetit tim ndaj Lindjes së Mesme, paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, sot njoftoj se Franca njeh shtetin e Palestinës”, tha Macron gjatë fjalimit në Kombet e Bashkuara, teksa delegacioni palestinez mirëpriti vendimin.
Macron e bëri publik lajmi në nisje të samitit për palestinezët, takim që po mbahet në OKB. Por, as ky takim, e as njoftimet për njohjen e shtetit palestinez nuk pritet të kenë ndonjë ndikim real në terren, ku Izraeli po kryen një ofensivë të madhe në Rripin e Gazës dhe po zgjeron vendbanimet në Bregun e pushtuar perëndimor.
Në samitin në OKB, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, do të adresohet përmes video-lidhjes, pasi atij dhe dhjetëra zyrtarëve të lartë palestinezë iu refuzuan vizat nga Shtetet e Bashkuara, duke ua pamundësuar pjesëmarrjen në konferencë.
Një ditë më parë, Britania, Kanadaja dhe Australia njohën zyrtarisht shtetin palestinez, duke iu bashkuar shteteve të tjera në një lëvizje që synon ringjalljen e përpjekjes për zgjidhjen me dy shtete. Palestinezët presin që në total dhjetë shtete të marrin këtë vendim në ditët në vijim, shkruan RTKlive.
Rreth tre e katërta e 193 anëtarëve të OKB-së e njohin shtetin palestinez, por shumica e shteteve perëndimore deri më tani kanë refuzuar ta njohin, duke thënë se deri te ky vendim do të vijnë pasi të kenë zhvilluar negociata me Izraelin./Katror.info