Disa qytete tërheqin miliona vizitorë çdo vit, ndërsa të tjera mbeten pothuajse të harruara.
Mund të mendoni se Tokio apo New Yorku janë në krye të listës, por përgjigjja mund t’ju befasojë. Çdo vit, miliona udhëtarë ndjekin rrugë të njohura nëpër botë – qoftë për ushqim, besim, modë apo thjesht për të qëndruar pranë një monumenti që e kanë parë qindra herë në ekran.
Sipas City Destination Index të Euromonitor International, një grusht qytetesh vazhdojnë të ngrihen mbi të tjerat, duke tërhequr më shumë vizitorë se çdo vend tjetër në botë. Disa janë të pritshme, e disa të tjera jo.
10. Kuala Lumpur, Malajzi

Reputacioni i Kuala Lumpur shpesh reduktohet tek shkëlqimi i Kullave Petronas, por ritmi i qytetit kuptohet më mirë në rrugë. Në Jalan Alor, shkopinj satay piqen mbi zjarr të hapur, ndërsa karriget plastike mbushin trotuaret. Xhamitë thërrasin për falje pranë tempujve Taoist të ndriçuar me fenerë të kuq; erëzat indiane përzihen me ëmbëlsinë e frutave tropikale. Ky shtresim kulturash – malajzese, kineze dhe indiane është ajo që tërheq vizitorët.
Më shumë se 16 milionë njerëz mbërritën vitin e kaluar, shumë prej tyre me idenë për një ndalesë të shkurtër, por zbuluan një qytet që shpërblen ata që vendosin të qëndrojnë më gjatë.
9. Paris, Francë
Parisi kurrë nuk ka rënë nga imagjinata e udhëtarëve. Mbi 17 milionë vizitorë shkojnë aty çdo vit, dëshmi se magjia e tij mbetet e gjallë. Kulla Eiffel dhe Luvri janë atraksione të përjetshme, por janë momentet e vogla që ushqejnë dashurinë për këtë qytet: një kroasant i shijuar në një karrige prej kashte, një libër i zbuluar në kutitë jeshile buzë Senës, apo një gotë verë që shkëlqen në një tarracë kafeneje në perëndim të diellit.
Hijeshia e Parisit e bën vetë stili i jetës pariziene, për të cilin udhëtarët nuk ngopen kurrë.
8. Makau, Kinë
Makau priti 18 milionë vizitorë vitin e kaluar. Shumë u tërhoqën nga dritat neon të kazinove në Cotai, por bukuria e vërtetë e qytetit shtrihet përtej ruletave. Sheshi Senado zbukurohet me mozaikë portugezë, kishat pastel kujtojnë të kaluarën koloniale, dhe rrugicat e ngushta mbushen me stalla ushqimi kantonez ku tymi i temjanit ngrihet nga tempujt.
Tartat me vezë, ende të pjekura sipas recetës së shekullit XIX, dalin të ngrohta nga furra. Aty qëndron magjia e Makaos – një përzierje e papritur mes Evropës dhe Kinës jugore
7. Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe
Dubai renditet i shtati, me gati 18 milionë vizitorë vitin e kaluar. Qyteti ofron gjithçka në një vend: hotele gjigante, restorante me yje Michelin, dyqane luksoze dhe plazhe me rërë të bardhë. Gjithçka e mbështjellë me një shkëlqim që bën që e përditshmja të duket luksoze.
Nga një safari në shkretëtirë që përfundon me darkë nën yje, deri te një fundjavë mes spa-ve, qendrave tregtare dhe bareve në çati – Dubai e ka ndërtuar reputacionin mbi spektaklin, por forca e tij e vërtetë është siguria se çfarëdo që kërkon, mund ta gjesh këtu.
6. Antalya, Turqi

Më shumë se 19 milionë udhëtarë vizituan Antalyan në vitin 2024, duke e kthyer në një nga qytetet më të ngarkuara bregdetare të Mesdheut. Bregdeti i saj premton plazhe dhe gjire me ujëra të kaltërta, por historia mbetet e ngulitur në jetën e përditshme.
Qyteti i vjetër Kaleiçi ruan rrugë të ngushta me shtëpi osmane, ndërsa porti ende ndjek formën e themeleve romake. Pas resorteve, malet e larta ngrihen menjëherë, duke kujtuar peizazhet e lashta të Licienit. Antalya lulëzon në këtë ndërthurje mes rehatisë moderne dhe lashtësisë së dukshme.
5. Meka, Arabia Saudite
Asnjë qytet tjetër në këtë listë nuk mbart peshën e Mekës. Mbi 19 milionë pelegrinë udhëtuan drejt qytetit të shenjtë vitin e kaluar, për Haxh ose Umrah.
Lëvizja aty është rit, jo turizëm: tavafi rreth Qabes, faljet në arkitekturën madhështore të Xhamisë së Madhe, ritmi i besimit që përhapet përtej kufijve kombëtarë. Mekka nuk tërheq për diversitetin e përvojave, por për kuptimin unik që mbart. Pozicioni i saj në mesin e qyteteve më të vizituara është një dëshmi e përkushtimit fetar dhe e shtrirjes së madhe të udhëtimeve fetare moderne.
4. Hong Kong, Kinë
Mbi 20 milionë vizitorë. Hong Kong mbetet një qytet që përmbledh shumë në pak hapësirë. Tragete që kalojnë Victoria Harbour me të njëjtin rit prej një shekulli, ndërsa rrokaqiejt rriten gjithnjë e më lart.
Ushqimi është magnet i përhershëm – nga dim sum në mëngjes deri te supat me makarona vonë në natë – por edhe arratisja është e lehtë, me shtigje malore dhe tragete ishujsh vetëm minuta larg qendrës. Qyteti nuk të detyron të zgjedhësh mes ritmit e qetësisë; ofron të dyja njëkohësisht.
3. Londra, Mbretëria e Bashkuar
Londra mban vendin e tretë, me gati 22 milionë vizitorë vitin e kaluar. Tërheqja e saj qëndron tek katedralet e lashta, Kryeveprat e Kurorës, apo Globi i Shekspirit. Por mes historisë, qyteti shpik veten çdo ditë: sallone ushqimi në magazina, teatër avangard në Soho dhe ngjarje që zhduken po aq shpejt sa shfaqen.
Udhëtarët mund të vijnë për Big Ben ose Buckingham Palace, por janë lagjet – secila me karakterin e saj që e bëjnë Londrën një kryeqytet të përhershëm të turizmit botëror.
2. Stamboll, Turqi

Më shumë se 23 milionë vizitorë në vitin 2024. Stambolli është ende qyteti i kalimeve. Tragete lundrojnë nëpër Bosfor nga mëngjesi deri natën, duke bartur udhëtarë mes kontinenteve. Në Sulltanahmet, pllakat blu të xhamisë ndriçohen nga i njëjti dritë që bie mbi kupolat e Hagia Sophia.
Pazaret plot me shafran e bakër janë vetëm disa rrugë larg galerive moderne dhe kafeneve të reja. Bukuria e Stambollit qëndron jo në një monument, por në akumulimin e shtresave – perandori dhe kultura, e kaluar dhe e tashme, të dukshme kudo.
1. Bangkok, Tajlandë
Në krye të listës me më shumë se 32 milionë vizitorë në vitin 2024. Bangkoku është qyteti i kontrasteve të pafundme. Tuk-tuk që kalojnë mes trafikut, anije të gjata që lëvizin në lumin Chao Phraya, stalla nate që mbushin ajrin me aromë limoni, speci dhe tym qymyri.
Murgjit mbledhin lëmoshë në agim pranë tempujve të artë, ndërsa lart mbi kaosin, barët e çative shtrihen mbi horizont. Por sapo të futesh në kanale, ritmi ngadalësohet, duke zbuluar shtëpi druri dhe tregje që duken të pandryshuara nga koha.
Bangkok e tërheq botën për kontrastet e tij – plotësisht i gjallë dhe njëkohësisht i qetë, i shenjtë dhe i çmendur – të gjitha brenda një kryeqyteti magjepsës.
Qytetet më pak të vizituara në botë
Në ndryshim nga lista e qyteteve më të vizituara, ku të dhënat e turizmit mbahen me kujdes, të gjesh një listë përfundimtare të qyteteve më pak të vizituara është më e vështirë. Megjithatë, dimë se disa nga vendet më pak të vizituara të botës kanë edhe kryeqytetet më të harruara.
Funafuti, Tuvalu
Kryeqyteti i shtetit ishullor në Paqësor, Tuvalu, është një nga vendet më të rralla për turistët. Vetëm 3,136 vizitorë në vitin 2023, megjithëse ky ishte trefishim nga viti i kaluar. Vendndodhja e largët – mes Hawait dhe Australisë e bën të vështirë arritjen për shumë udhëtarë.
Tarawa, Kiribati.
Një ishull të vogël koralor dhe kryeqyteti i Republikës së Kiribatit, në Paqësorin Qendror. Me vetëm rreth 8 mijë vizitorë në vit, Kiribati mbetet ndër vendet më të izoluara. Shkëputja nga rrjetet e mëdha të udhëtimit ndërkombëtar është arsyeja kryesore e mungesës së turistëve.
Malabo, Guinea Ekuatoriale
Një nga vendet më pak të vizituara në Afrikë. Kryeqyteti Malabo pranon vetëm rreth 6,000 turistë në vit, sipas Bankës Botërore. I ndërtuar mbi ishuj vullkanikë dhe një pjesë të vogël në tokë, vendi ofron plazhe, pyje tropikale dhe faunë të pasur. Megjithatë, paqëndrueshmëria politike, çmimet e larta dhe problemet e vizave e kanë penguar zhvillimin e turizmit. /AP/Katror.info