Universiteti i Prishtinës ka hapur thirrjen për studentët e semestrit veror 2025/2026 për të aplikuar për bursa në kuadër të programit Erasmus+, në Justus-Liebig-Universität Giessen, Gjermani. Kjo iniciativë ofron mundësi për zhvillim akademik dhe përvojë ndërkombëtare për studentët në të gjitha fushat e studimit që ofron universiteti gjerman.
Bursat janë të hapura për studentët e niveleve Bachelor, Master dhe PhD, me kritere specifike për secilin nivel, përfshirë notën mesatare mbi 8.00 dhe për studentët PhD një udhëheqës akademik nga Universiteti i Giesenit. Bursat përfshijnë një kompensim mujor prej 850 eurosh dhe shpenzimet e udhëtimit deri në 275 euro, për një kohëzgjatje prej një semestri (5–6 muaj).
Universiteti i Prishtinës inkurajon veçanërisht aplikimin e studentëve me më pak mundësi, duke ofruar kështu një shans për pjesëmarrje më të gjerë dhe përfshirje në mobilitetin ndërkombëtar. Afati për aplikim është 14 tetor 2025.
Ky program është një mundësi e shkëlqyer për studentët e UP-së që të përforcojnë njohuritë akademike, të krijojnë lidhje ndërkombëtare dhe të përjetojnë jetën studentore në një nga universitetet e njohura të Gjermanisë./Katror.info