Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, ku u diskutuan hapat konkretë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Temat qendrore të bisedimeve përfshinë finalizimin e marrëveshjeve në proces, si njohja e ndërsjellë e patentë-shoferëve, bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes civile. Palët ranë dakord për krijimin e një Komisioni të përbashkët për tregti dhe ekonomi, me qëllim që miqësia ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë të përkthehet në zhvillim konkret për qytetarët.
Një fokus i veçantë i takimit ishte përfshirja e të rinjve në proceset shoqërore dhe demokratike. Ministrja Gërvalla theksoi: “Forcimi i demokracisë kalon përmes përfshirjes së të rinjve. Kosova dhe Kroacia janë të vendosura t’i japin brezit të ri hapësirën që meriton, sepse nga ta varet e ardhmja e shoqërive tona.”
Në përfundim, Ministrja Gërvalla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë gjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një mik dhe partner të çmuar të vendit.
Në thelb, takimi sinjalizon një angazhim të ri të dy vendeve për projekte konkrete zhvillimi dhe investimesh që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve./Katror.info