Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, njëherësh edhe anëtare e Bordit të Komitetit Paralimpik Evropian, po përfaqëson Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC) që po mbahet në Seul, Kore e Jugut.
Për herë të parë, Kosova po merr pjesë si anëtare me të drejtë vote në këtë asamble, një arritje që shënon një kapitull të ri për përfaqësimin ndërkombëtar të sportistëve tanë me aftësi të kufizuara.
“Kjo pjesëmarrje e plotë jo vetëm që forcon pozitën e Kosovës brenda strukturave të lëvizjes paralimpike globale, por edhe i jep zë të drejtpërdrejtë në proceset vendimmarrëse që ndikojnë në të ardhmen e sportit paralimpik në nivel botëror. Kjo është një arritje e përbashkët e të gjithë parasportistëve dhe komunitetit e partnerëve të Komitetit tonë”, deklaron presidentja Emini.
Ndër momentet kyçe të kësaj Asambleje është edhe votimi për President të ri të IPC-së, ku Kosova për herë të parë ushtron të drejtën e saj të votës.
Komiteti Paralimpik i Kosovës në vitet e fundit ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në përfaqësimin ndërkombëtar, duke u anëtarësuar në të gjitha instancat ndërkombëtare të parasportit. Së fundi, presidentja e KPK-së është zgjedhur anëtare e bordit ekzekutiv të Komitetit Paralimpik Evropian, duke siguruar një vend për shtetin tonë në tavolinën më të rëndësishme të parasportit në kontinent./EO/Katror.info