La Chaux-de-Fonds, qyteti zviceran me traditë të gjatë kulturore, po përgatitet për edicionin e dhjetë të Arty Show, një ngjarje që sjell artin në vitrinat e qytetit dhe e bën qendrën urbane të rrezatojë si një muze i hapur. Këtë vit, në mesin e 20 artistëve të përzgjedhur ndërkombëtarisht, spikat edhe emri i një shqiptari: Ramë Dardania.
Pjesëmarrja e tij në këtë jubile të rëndësishëm është një lajm i gëzueshëm për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë. Me krijimtarinë e tij të veçantë, Dardania sjell në këtë platformë ndërkombëtare jo vetëm art, por edhe frymën e kulturës shqiptare, duke e bërë më të dukshme zërin e artistëve tanë në skenën evropiane.
Hapja zyrtare e ngjarjes do të mbahet më 21 nëntor 2025, ora 17:00, në Place du Marché, përpara Kiss the Ground. Publiku do të udhëhiqet në një shëtitje artistike nga një vitrinë tek tjetra, ku edhe vetë artistët, përfshirë Ramë Dardaninë, do të komentojnë veprat e tyre. Ky udhëtim i veçantë do të mbyllet me një aperitiv në katin e parë të ABC, duke u kthyer në një festë të artit dhe bashkëpunimit kulturor.
Nga 22 nëntori deri më 20 dhjetor 2025, qyteti do të transformohet me 20 instalacione artistike, të krijuara në bashkëpunim me tregtarë lokalë, FabLab dhe shërbimet komunale. Një element surprizë janë dhjetë artichokët e ndriçuar, të shpërndarë në qendër të qytetit, që ftojnë qytetarët në një lojë zbuluese festive.
Për komunitetin shqiptar, prezenca e Ramë Dardanisë në këtë skenë është një dëshmi e fuqisë së artit për të ndërtuar ura, për të afruar kulturat dhe për të përfaqësuar me dinjitet vlerat krijuese të kombit tonë./KultPlus/Katror.info