Bashkimi i Prizrenit ka shënuar fitore të madhe në debutimin evropian.
Të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”, që ishte e mbushur me shikues, Bashkimi e mposhti gjigantin polak të basketbollit, Anwil Wloclawek.
Prizrenasit ishin vazhdimisht në epërsi, ndërsa në fund fituan me shifrat 80:75.
Anwili është prej skuadrave më të mëdha në FIBA Europe Cup. E ka fituar këtë garë në vitin 2023. Dhe ndeshja mes Bashkimit dhe Anwilit ishte e para e raundit kualifikues të FIBA Europe Cup. Ndeshja e kthimit zhvillohet në Wloclawek të Polonisë më 1 tetor. Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon në fazën grupore të FIBA Europe Cup.
Ndeshjen në Prizren më mirë e nisën mysafirët, që krijuan epërsi 8:3. Por lojtarët e Bashkimit, të përkrahur zëshëm nga tribunat reaguan shpejtë. Në minutën e gjashtë dolën para, 14:12, ndërsa në çerekun e parë krijuan epërsi prej dhjetë pikëve, 24:14.
Pas 10 minutave lojë, rezultati ishte 24:16 në të mirë të Bashkimit. Polakët reaguan në çerekun e dytë, të cilin e fituan 21:15. Dhe pas pjesës së parë epërsia e Bashkimit ishte dy pikë, 39:37. Në çerekun e tretë prizrenasit krijuan epërsi deri në 13 pikë, 55:42. Por Anwili u afrua në 58:51 në fund të periudhës.
Tre minuta para fundit, Anwili doli në epërsi 71:70, por sërish Bashkimi u kthye për 74:71. Edhe në fundin e ndeshjes prizrenasit ishin më të fokusuar për fitore me pesë pikë, të cilën do të kërkojnë ta mbrojnë në ndeshjen e vështirë në Poloni.
Isaiah Cousins ishte më i miri te Bashkimi me 21 pikë e shtatë kërcime.
Jeremiah Bailey e përfundoi ndeshjen me 16 pikë e pesë kërcime, ndërsa Kyan Anderson i kishte 13 pikë e shtatë asistime. Amerikani tjetër, De’Quan Lake i kishte gjashtë pikë e shtatë kërcime, shkruan Koha.net. Hise në fitoren e madhe kishin edhe vendorët. Lejson Zeqiri i shënoi tetë pikë, Valon Bunjaku pesë, Jan Palokaj shtatë e Meriton Ismaili tri.
Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve kualifikohet në grupin ku tashmë është Trepça. Pos kampiones kosovare janë edhe PAOK-u grek dhe Braunschweigu gjerman./Katror.info