Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton se peshku në tregun e Kosovës është i sigurt për konsum dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.
Në njoftimin e AUV thuhet se bazuar në vlerësimet shkencore të Bashkimit Evropian dhe legjislacionin e Republikës së Kosovës, produktet e peshkut të papërpunuar duhet të trajtohen në mënyrë adekuate për të eliminuar parazitët që mund të jenë të dëmshëm për konsumatorët.
“Metodat e rekomanduara përfshijnë ngrirjen në temperatura të ulëta (-18°C) për periudha të caktuara dhe trajtimin termik në temperatura mbi 60°C, në varësi të llojit të peshkut dhe parazitëve”, thuhet në njoftim .
AUV thotë se importet e peshkut në Kosovë vijnë kryesisht nga SHBA, Kanadaja, Spanja, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, gjithmonë të ngrira në temperatura më të ulëta se -18°C dhe me certifikata shëndetësore si garanci. “Peshku Merluc (hake), i cili gjendet në tregun lokal, është i destinuar për t’u gatuar dhe nuk shitet si produkt i freskët ose i shkrirë pa trajtim të sigurt kundër parazitëve”, thuhet në njoftim .
Ndërkohë që një komision i pavarur i AUV-së ka vendosur që peshku i pa trajtuar adekuat të asgjësohet për të mbrojtur shëndetin publik. Në këtë kontekst, dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë (Aktvendimi Nr. 2025:134825, datë 12.09.2025), po bëhen përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk.
Sipas AUV ky proces është i rëndësishëm për sigurinë shëndetësore të konsumatorëve dhe për integritetin e tregut ushqimor në Kosovë./RTK/Katror.info