Aviacioni mbetet një nga sektorët më interesantë dhe dinamikë të botës. Nga rrugët më të ngarkuara, te avionët më të shpejtë e deri tek linjat ajrore që fluturojnë në më shumë vende, ja disa statistika që të lënë pa fjalë, shkruan OGN Daily ,transmeton Katror.info.
Rruga më e ngarkuar në botë
Mund të mendoni se rruga më e ngarkuar është ndërkombëtare, si Hong Kong – Taipei (6,7 milionë vende në 2024). Por rekordin e mban linja e brendshme Seul Gimpo – Jeju International në Korenë e Jugut, me plot 14,1 milionë vende në vit dhe rreth 225 fluturime në ditë. Jeju njihet si “Hawai-i i Koresë” dhe tërheq miliona vizitorë çdo vit.
Avioni më i shpejtë
Edhe pse Concorde mbetet legjenda e shpejtësisë me 1.354 mph (Mach 2.04), sot rekordin e avionëve komercialë e mban Boeing 747-8I, me shpejtësi lundrimi Mach 0.855 (564 mph). Ky model ende përdoret nga Lufthansa, Korean Air dhe Air China.
Linja ajrore që fluturon në më shumë vende
Turkish Airlines është numri një me 124 shtete në hartën e saj të fluturimeve (qershor 2025), falë pozitës gjeografike strategjike mes Evropës, Azisë dhe Afrikës. Pas saj vijnë Qatar Airways (92 vende) dhe Ethiopian Airlines (87 vende).
Avionët më të mëdhenj dhe kompanitë gjigante
Në SHBA dominojnë gjigantët e industrisë:
• Delta kryeson për të ardhura me $61,6 miliardë (2024)
• American Airlines për pasagjerë: 226 milionë (2024)
• United Airlines për madhësinë e flotës: 1.046 avionë dhe 387 destinacione
Aeroporti më i ngarkuar
Që nga viti 1998, rekordin e mban Hartsfield-Jackson Atlanta International me mbi 108 milionë pasagjerë në vit. Dubai po afrohet me 92,3 milionë.
Avioni më i shitur në histori
Jo, nuk është “Jumbo Jet” i famshëm 747 (1.574 njësi të prodhuara deri në 2023), por Cessna 172 Skyhawk, një avion i vogël me katër vende. Që nga viti 1955 janë ndërtuar mbi 44.000 njësi.
Linja ajrore më e vjetër
KLM e Holandës, themeluar më 7 tetor 1919, është kompania ajrore më e vjetër në botë që operon ende me të njëjtin emër. /Katror.info
Burimi: Only Good News Daily
Përktheu dhe përshtati: Katror.info