Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka pritur sot ekipin e Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve të BE-së (EEM), të përbërë nga udhëheqësi i ekipit, Konrad Olszewski, dhe ekspertes ligjore, Eirini Skouzou. Takimi u fokusua në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Gjatë takimit, Kryetari Rexhepi informoi ekspertët mbi trajtimin e ankesave administrative kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke theksuar se procesi zgjedhor në vend ka arritur një nivel të konsiderueshëm konsolidimi dhe besueshmërie institucionale.
Ekspertët e EEM-së njoftuan se pas përfundimit të zgjedhjeve, do të hartojnë dhe publikojnë Raportin Final, i cili do të përmbajë rekomandime për avancimin e mëtejshëm të standardeve zgjedhore në Kosovë./Katror.info.