Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork ka marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Hudson Institute me temën “Partneriteti në rritje Kosovë – ShBA në mbrojtje dhe zhvillim”.
Në fjalën e tij, Kurti u ndal në dy fusha kryesore të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara: mbrojtjen dhe zhvillimin. Ai rikujtoi se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte momenti vendimtar për lirinë e Kosovës dhe se që nga ajo kohë, Kosova ka kaluar nga një shtet pas-konfliktit në një aleat të besuar dhe kontribues në siguri.
“Gjatë katër viteve të fundit mbi një mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar në programe amerikane, ndërsa FSK ka marrë pjesë për herë të parë në një mision ndërkombëtar paqeruajtës,” u shpreh Kurti, duke theksuar se Kosova ka katërfishuar buxhetin e mbrojtjes dhe ka investuar në sisteme të reja moderne.
Ai vuri në pah edhe përkushtimin e Kosovës në mbështetjen e Ukrainës përmes trajnimeve, dhurimit të pajisjeve dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, Bjellorusisë, Iranit dhe Hezbollahut.
Në anën e zhvillimit, Kurti përmendi uljen në 0% të tarifave për mallrat amerikane, grantin mbi 200 milionë dollarë të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit dhe projektet e energjisë që synojnë modernizimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sektorit.
“Partneriteti ynë është i ndërtuar mbi tre shtylla: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Edhe pse ndonjëherë kemi dallime taktike, në strategji dhe në vlera jemi tërësisht të rreshtuar me Shtetet e Bashkuara,” tha Kurti, duke e cilësuar Kosovën si një vijë të parë mbrojtëse kundër ndikimeve destabilizuese në rajon.
Në fund, ai theksoi se Kosova nuk dëshiron të shihet vetëm si përfituese e mbështetjes ndërkombëtare, por si kontribuese në siguri, partnere zhvillimi dhe aleate e palëkundur e ShBA-së dhe NATO-s./Katror.info.