Sot, gjatë ceremonisë së hapjes së Konferencës së 3-të Vjetore të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) për Arsimin e Lartë dhe Sigurimin e Cilësisë, Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës u nderua për kontributin e tij të vyer në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), prof. Hasnije Ilazi, dhe drejtori i AKA-së, z. Naim Gashi, i dorëzuan Fakultetit “Certifikatën e Cilësisë”, në shenjë njohjeje për arritje të spikatura në përmbushjen e standardeve të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Fakulteti u vlerësua veçanërisht për organizimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Shqipe dhe për ofrimin e kurseve për studiues ndërkombëtarë. Seminari, i themeluar në vitin 1974, është një ndër institucionet më jetëgjata dhe më të rëndësishme të albanologjisë bashkëkohore, duke shërbyer si platformë ndërkombëtare për promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në dimensionet e saj shkencore, kulturore dhe pedagogjike.
Konferenca e këtij viti, me temën “Internationalised Higher Education: Overcoming Borders and Bringing People Together”, fokusoi rolin e ndërkombëtarizimit në kapërcimin e kufijve dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes njerëzve, kulturave dhe institucioneve.
Fakulteti i Filologjisë vazhdon të konsolidojë reputacionin e tij si një qendër akademike me ndikim ndërkombëtar në promovimin e dijes dhe kulturës shqiptare./Katror.info