Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Republikës së Kosovës do të jetë nikoqire e Takimit të 19-të Vjetor me vendet e Rajonit dhe Evropës Juglindore (EJL), i cili do të mbahet sot duke filluar nga ora 09:00.
Ky takim organizohet nën patronatin e përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Grupit të Përhershëm Punues për Zhvillimin Rural dhe Rajonal (SWG) në Evropën Juglindore dhe do të mbledhë delegacione nga vendet e rajonit për të diskutuar zhvillimet në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Në hapje të takimit do të mbajnë fjalë përshëndetëse Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, përfaqësues të Bashkimit Evropian, si dhe Shefat e Delegacioneve nga vendet e Evropës Juglindore, të shoqëruar nga përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Në kuadër të agjendës, pjesëmarrësit do të fokusohen në përafrimin e politikave bujqësore të Kosovës me Kornizën e Politikës së Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP), si pjesë e procesit të zgjerimit dhe fazës së para-anëtarësimit, duke diskutuar gjithashtu edhe zhvillimet drejt CAP-it dhe zbatimit të programit IPARD.
Po ashtu, do të shqyrtohet bashkëpunimi rajonal në sektorin agro-ushqimor në kuadër të SWG-së, dhe do të prezantohen konkluzionet e Forumit të Politikave Bujqësore “Agjenda e Ohrit 2025”.
Ngjarja do të përfshijë edhe takime bilaterale ndërmjet delegacioneve pjesëmarrëse, ndërsa miratimi i konkluzioneve të përbashkëta është paraparë të bëhet në të njëjtën ditë. Ky takim paraqet një moment të rëndësishëm për vlerësimin e bashkëpunimit ekzistues rajonal dhe perspektivave të ardhshme në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Evropën Juglindore./RTKlive/Katror.info