Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e ka parë skuadrën e tij si favorite, por paralajmëron një ndeshje të vështirë. Në anën tjetër, trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, e ka cilësuar rikthimin në Barcelonë si një moment të veçantë dhe emocionues.
Të mërkurën mbrëma Barcelona pret PSG-në në një duel të madh të fazës së grupeve të Champions League. Katalanasit vijnë pas fitores ndaj Newcastle United, ndërsa francezët kërkojnë të tregojnë forcën e tyre kundër një rivali të madh evropian.
Tekniku gjerman i Barcelonës ka thënë se skuadra e tij duhet të punojë sipas planit.
“Duhet të punojmë sipas planit tonë. Nuk do të jetë e lehtë, sepse PSG do të kërkojë topin dhe di të ushtrojë presion. Nga sekonda e parë deri në minutën e fundit duhet të luajmë në nivelin më të lartë. Jemi Barcelona, jemi favoritë, por na pret një punë e vështirë”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Luis Enrique, ka thënë se PSG-ja duhet ta bëjë lojën e vet. “Është emocionuese të luash kundër një ekipi me të njëjtin mentalitet. Çelësi do të jetë rikuperimi i topit. Për të fituar duhet të luajmë futbollin tonë dhe të jemi të fortë mendërisht.Është një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare”, është shprehur ai./RTKlive/Katror.info