Drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi ka bërë të ditur se kanë nisur përgatitjet për edicionin e parë të festivalit të këndimit koral “Echoes of Ocarina”, një iniciativë e Elikona Hysaj Shala, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës dhe Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë.
Ky festival i ri u dedikohet nxënësve të shkollave të Komunës së Prishtinës, me qëllim të promovimit të muzikës korale në shkolla dhe krijimit të një platforme vjetore për zhvillimin e talenteve muzikore dhe skenike, thuhet në njoftimin e Drejtoreshës së Kulturës, Sibel Halimi.
Përmes Korit të Fëmijëve “Ocarina”, fëmijëve u ofrohet hapësirë për të shprehur vetveten dhe për t’u angazhuar në aktivitete artistike që nxisin kreativitetin dhe bashkëpunimin.
Në njoftim është theksuar edhe mirënjohja për angazhimin profesional të Elikona Hysaj Shala dhe kontributin e saj në fuqizimin e artit muzikor në institucionet arsimore të kryeqytetit. /Katror.info