“Uniteti nuk na është dhënë – ai është arritur. Dhe ai bart përgjegjësi.” Me këtë mesazh u shënua Dita e Bashkimit të Gjermanisë nga Ambasada Gjermane në Prishtinë. Ceremonia u mbajt me pjesëmarrjen e të ngarkuarit me punë, Christian Böttcher, komandantit të kontingjentit gjerman në KFOR, kolonel Lutz Dietrich Müller, si dhe Shefit të Shtabit të KFOR-it, Kontradmiral Maximilian Clark, njofton Ambasada Gjermane në Prishtinë, shkruan Katror.info.
Në fjalën e tij, Böttcher theksoi se një Gjermani e bashkuar bart dy parime udhëheqëse: përgjegjësinë për të qëndruar në mbrojtje të paqes dhe lirisë në vend dhe jashtë tij – siç dëshmohet nga prania e Gjermanisë në KFOR – dhe solidaritetin, pasi bashkimi gjerman u bë i mundur vetëm falë mbështetjes ndërkombëtare.
“Prandaj sot Gjermania qëndron pranë Ukrainës dhe partnerëve në Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre drejt paqes, demokracisë dhe një të ardhmeje evropiane,” tha ai.
Duke sjellë një reflektim personal, Böttcher kujtoi se është lindur më 9 nëntor – ditën e rënies së Murit të Berlinit. “Për mua, bashkimi nuk është vetëm histori; është përvojë e jetuar dhe detyrim për të vepruar,” theksoi ai. Ai falënderoi ushtarët gjermanë për shërbimin e tyre në Kosovë, duke e cilësuar atë si shenjë të vlerave gjermane – besueshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim për paqe.
Më herët në një postim në Facebook, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë shkruajti se “Liria fillon me guxim, dhe sot festojmë ribashkimin e Gjermanisë.”
“Në vitin 1989, njerëzit në RDGJ u ngritën kundër një sistemi autoritar – me qirinj në duar dhe shpresë për ndryshim. Dëshira e tyre për liri ishte shkëndija që rrëzoi murin – dhe hapi rrugën për një Gjermani të bashkuar.
Ajo që pasoi ishte më shumë se një ngjarje kombëtare: Ribashkimi i vitit 1990 u bë realitet përmes diplomacisë, dialogut dhe dëshirës për paqe – një pikë kthese për Evropën dhe botën.”/Katror.info