Korça, qyteti i njohur për artizanatin dhe trashëgiminë e pasur kulturore, ka tërhequr këtë herë tri vajza të huaja, të cilat po mësojnë mjeshtërinë e thurjes së qilimave.
Njëra prej tyre vjen nga Turqia dhe ka një lidhje të veçantë me vendin tonë. Nëna e saj është me origjinë nga Korça, ndërsa babai turk, dhe për këtë arsye ajo e ndien thurjen e qilimave jo vetëm si një pasion, por si një rikthim tek rrënjët e familjes.
“Jam Burxhu, jetoj prej 8 vitesh në Shqipëri. Jam me orgjinë nga Korça, Mami nga Korça dhe babi nga Turqia, unë jetoj ne Tirane tani. Unë e kam qejf të bëj punedore e të mësoj diçka shumë ndryshe, kjo është hera e parë për mua. E pëlqeva shumë, është shumë tradicionale. Nuk e di nqs jam mirë po, unë kam filluar sot e të shohim, mund të provoj me shume për një projekt me të madh.”– tha Burcu Ozan.
Krahas saj, një vajzë nga Tajvani dhe një tjetër nga Anglia, të dyja të mahnitura nga bukuria e traditave shqiptare, kanë zgjedhur të mësojnë këtë zanat shekullor. Ato tregojnë se janë dashuruar me motivet, ngjyrat dhe simbolikat e qilimave shqiptarë.
“Përherë e pyesja veten a mund të bëj një qilim të bukur kur e pashë për herë të parë te Pazari i Vjetër në Korçë dhe jam shumë e lumtur që po mësoj tani. Me pëlqen tradita shqiptare. Nqs bëj nje qilim, do e marr me vete në Taivan.” –tha Min Chih
“E pamë online këtë mundësinë dhe përherë kam dashur të mësoj të thurr qilima. Erdha kastile nga Tirana në Korçë për të mësuar. E dua traditën shqiptare. Po mësoj sepse jam e interesuar t’i bëj vet një ditë.”
Kjo iniciativë ka nisur nga një sipërmarrje në Korçë, ku vajzat e reja kanë mundësi të mësojnë dijebërjen e qilimave të vjetër çdo javë në Qendrën Rinore, ku tingujt e tezgjahut bashkohen me frymën rinore dhe gjeneratave./EuronewsAlbania/Katror.info