Sanae Takaichi është gruaja e parë që bëhet presidente e partisë konservatore të Japonisë, duke udhëhequr aktualisht koalicionin qeverisës dhe duke hapur kështu, rrugën për zgjedhjen e saj si kryeministre: një rast i parë për Tokën e Diellit (Japoni).
Japonia është ekonomia e katërt më e madhe në botë, por që mbetet ende prapa në barazinë gjinore, e renditur e 118-ta në ”Raportin Global të Hendekut Gjinor 2025”.
Megjithatë, emërimi i 64-vjeçares Sanae Takaichi, e njohur për qëndrimet e saj të pakompromis, nuk është një zgjedhje feministe, thonë analistët.
Në një balotazh të ngushtë – i cili zbuloi përçarjet e thella brenda Partisë Liberale Demokratike (LDP) – Takaichi mundi kandidatin kryesor Shinjiro Koizumi, duke marrë 185 vota kundrejt 156 votave të kandidatit rival.
E afërt me ish-kryeministrin Shinzo Abe, i vrarë në korrik 2022, trashëgiminë politike dhe ideologjike të të cilit ajo pretendon, ajo e ka ndërtuar karrierën e saj tridhjetëvjeçare.
Ajo favorizon rritjen e shpenzimeve publike dhe lehtësimin monetar. Në politikën e jashtme, ajo konsiderohet si një skifter, me qëndrime të ashpra ndaj dy fqinjëve të saj kryesorë, Kinës dhe Koresë së Jugut.
Ish-ministre e Sigurisë Ekonomike dhe ministre e Brendshme, ajo premton një politikë fiskale ekspansioniste për të adresuar inflacionin dhe stagnimin e pagave, duke propozuar ulje të taksave të benzinës, stimuj për qeveritë lokale dhe subvencione të drejtpërdrejta për personat me të ardhura të ulëta.
Pavarësisht përpjekjes për të moderuar tonin e saj gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Takaichi ka mbetur e vendosur në parimet e saj – një “element qëndrueshmërie”, thonë vëzhguesit, gjë që i ka fituar asaj besimin e skajeve më tradicionaliste të partisë.
Për shembull, ajo kundërshton martesën e të njëjtit seks dhe kundërshton reformën e ligjit që kërkon që çiftet e martuara të ndajnë një mbiemër të vetëm, një rregull që i disavantazhon gratë në veçanti. /ATSH