Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur sot fushatën vetëdijësuese “Duart në timon, jo në telefon”, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve të shkaktuara nga përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjeteve.
Fushata, e organizuar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në bashkëpunim me stacionet policore në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit, po realizohet edhe me mbështetjen e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”.
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e DRP-Ferizaj ka theksuar se mesazhi kryesor i fushatës është:
“Një sekondë në telefon mund të jetë shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon.”
Gjatë kësaj fushate, e cila do të zgjasë deri më 12 tetor 2025, janë parashikuar aktivitete të ndryshme vetëdijësuese, përfshirë shpërndarjen e fletëpalosjeve informuese, vendosjen e posterëve në rrugë dhe sheshe publike, si dhe ligjërata në shkollat e rajonit të Ferizajt.
Pas përfundimit të fazës edukative, nga data 13 tetor 2025, policia do të fillojë zbatimin e masave ndëshkuese ndaj shoferëve që shkelin ligjin e trafikut dhe rrezikojnë sigurinë rrugore./Katror.info