Presidenti Bajram Begaj mikpriti në Shqipëri liderët e vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijuni-t, një mekanizëm i rëndësishëm rajonal që synon integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Samiti i Shqipërisë mblodhi bashkë në një tryezë: Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç, Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Bećirović, Zheljko Komšić dhe Željka Cvijanović, së bashku me dy bashkëkryesuesit e Procesit të Brdo-Brijuni-t, Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç.
Në këtë samit u shkëmbyen pikëpamje për integrimi evropian, Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, të rinjtë, bashkëpunimin dhe sigurinë rajonale.
Në nisje të samitit, Presidenti Begaj vuri në dukje faktin se Shqipëria mikpret samitin e procesit të Brdo Brijunit, së bashku me Slloveninë dhe Kroacinë.
“Si bashkëkryesues të Presidencës të procesit të Brdo Brijunit ne vlerësojmë forcimin e rolit të kësaj platforme si një mekanizëm i rëndësishëm rajonal”, tha ai.
“Temat që do të diskutohen sot lidhen me bashkëpunime rajonale, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin europian, planin e rritjes së Bashkimit Europian, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos së rinisë në vendet tona”, tha Begaj.
Begaj nënvizoi se, Shqipëria mbështet dialogun rajonal me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit europian, teksa vlerësoi progresin e arritur në këto drejtime.
“Për ne, bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në Bashkimin Europian dhe duhet të vazhdojmë të shkëmbejmë eksperiencat dhe njohuritë tona për pasur rezultate akoma më të prekshme nga ky proces i Brdo-Brijunit”, tha Begaj.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbështet fuqishëm dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si elemente thelbësore për ruajtjen e paqes, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.
Kreu i Shtetit ftoi homologët e tij të vazhdojnë qasjen konstruktive dhe të vlefshme për të pasuruar më tej arritjet e Procesit të Brdo-Brijuni-t.
Duke folur për ritmin e përshpejtuar në progresin e kapitujve të negociatave Shqipëri-BE, Presidenti i Republikës theksoi se këto hapa janë rezultat i përpjekjeve për reforma, nga forcimi i institucioneve demokratike dhe pavarësisë gjyqësore, deri te modernizimi i administratës publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe harmonizimi i politikave ekonomike me standardet e BE-së.
Ndërsa vlerësoi arritjet e deritanishme të Procesit të Brdo-Brijuni-t, Presidenti Begaj foli për sfidat më të cilat përballet rajoni ynë, për të cilat u shpreh se përballja e tyre kërkon rritje të bashkëpunimit dhe koordinim më të ngushtë mes nesh.
“Aspirata e Shqipërisë, – nënvizoi Kreu i Shtetit, – për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar, duke shtuar se integrimi në BE gëzon mbështetjen e gjerë të shoqërisë shqiptare, pasi pasuron vlerat themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”.
Ndërkaq, Presidentja Osmani pati kritika për BE-në që ende vazhdon ta mbajë Kosovën nën masa.
“Përkundër të gjitha reformave Kosova ende mbetet në sanksionet e BE-së, për të cilat askush nga shtetet anëtare nuk është i gatshëm të jap një arsye pse janë ende në fuqi edhe pse të gjitha kushtet janë plotësuar e njëkohësisht edhe pse aplikacioni ynë është dorëzuar për anëtarësim qysh në vitit 2022, deri tani, për shkak të disa shteteve anëtare as nuk është mandatuar Komisioni Evropian për tu marrë më çështjen e statusit të kandidatit për Kosovën. Kjo na sjellë të konkluzioni që procesi nuk është i bazuar në merita, por ka zhvillime politike, konsiderata vetanake që shtetet anëtare nganjëherë i marrin parasysh për të përkrahur një shtet apo jo”, deklaroi Osmani.
E para e shtetit të Kosovës tha se në takim kërkoi mbështetjen e Sllovenisë e Kroacisë si dy shtete anëtare të BE-së e shtetet fqinje që ta mbështesin e të jenë zëri i Kosovës që të hapet rruga drejt BE-së.
Samiti i Procesit të Brdo-Brijuni-t u përmbyll me një deklaratë të përbashkët të Presidentëve të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijuni-t.
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së./ATSH/Katror.info