Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim drejtoren rajonale të UN Women për Evropë dhe Azi Qendrore, znj. Belén Sanz Luque.
Në këtë muaj, që shënon 25-vjetorin e miratimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Presidentja Osmani vuri në pah progresin e Kosovës në avancimin e kësaj agjende, duke theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit për të garantuar siguri dhe paqe gjithëpërfshirëse.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani vlerësoi lartë bashkëpunimin e Kosovës me organizatën UN Women, e cila ka dhënë kontribut të rëndësishëm në përmbushjen e objektivave të përbashkëta për barazi gjinore. Ky bashkëpunim ka sjellë rezultate të prekshme në fusha si fuqizimi i të drejtave të grave dhe vajzave, përfshirja e tyre në jetën politike dhe publike, fuqizimi ekonomik i qëndrueshëm, mbështetja për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe avancimi i drejtësisë tranzicionale.
Presidentja Osmani dhe znj. Sanz Luque u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe UN Women, me synim forcimin e barazisë gjinore dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e gjithëpërfshirëse./Katror.info