Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova ka publikuar më 08.10.2025 projektin “Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit”, përmes të cilit synohet që në shumë drejtime të trajtohen problemet që shkakton dezinformimi në vend.
Projekti është nismë e tri organizatave, BIRN, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Në ceremoninë e lansimit, u mbajt një panel diskutimi lidhur me aktualitetin në tregun medial në Kosovë dhe sfidat ne dizajnimin e programeve që kanë për qëllim luftimin e dezinformimit.
Zëvendëskryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Naile Dema në fjalën hyrëse tha se dezinformimi ka marrë hov shume të madh, sidomos tash me zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.
Ndërsa tha se kontribut për keq po japin vetë përfaqësuesit politikë në Kosovën, sepse gjuha e tyre polarizuese po ju jep të drejtën edhe të tjerëve të shpërndajnë edhe lajme të pavërteta.
“Nëse fokusohemi në Kosovë, çka ndikon dhe çka e cenon integritetin e informacionit mendoj që ka disa zhvillime që ndodhin paralelisht. Nëse e kemi parasysh faktin që rrjetet sociale janë jashtë mbikëqyrjes së të gjithë mekanizmave, terreni është tepër i përshtatshme për njerëz që dëshirojnë të merren me fake neës. Rrjetet sociale janë tu e bo një dëm goxha të madh në këtë aspekt. Ka plot faqe që hapën para zgjedhjeve dhe mbyllen pas zgjedhjeve, në këto faqe bëhet nami prej fake neës dhe prej çrregullimeve të informacionit” – tha ajo.
Ndërsa, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Besnik Berisha tha se mbrojtja nga dezinformimi nuk është luks, por një urgjencë kombëtare sepse dëmi mund të jetë i jashtëzakonshëm.
“Kur flasim për integritetin e mediave dhe dzinformimin jemi duke folur për dy tema që kanë rendësi të jashtëzakonshme. Kampanjat dezinformuese janë të rrezikshme dhe nuk janë një dimensionale por janë shumë dimensionale. Kemi të bëjmë me një ekosistem veprimi dhe dëmi që mund të varet shumë nga intensiteti i kampanjave informuese dhe mekanizmave mbrojtës. Mbrojtja nga dezinformimi nuk është luks, por një urgjencë kombëtare sepse dëmi mund të jetë i jashtëzakonshëm. Mund të pësojnë individët por edhe siguria kombëtare”- ka thënë ai.
Berisha tutje tha se Kosova ka nevojë për media profesionale të përgjegjshme.
“Për të siguruar ketë ambient medial mendoj që është shume e rëndësishme që edhe aktorët tjerë të jenë të fuqishëm dhe të organizuar me kapacitetet e duhura”- u shpreh ai.
Ndërsa, kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi tha se dezinformata nuk është vetëm një rrenë, por është një frymë e cila ka për qëllim impaktin politik dhe impaktin në vendimmarrje në vendet që i synon.
Gashi tha se qytetarët janë të ekspozuar ndaj të pavërtetave dhe të informacioneve që nuk e dinë nga i marrim.
“Rajoni ku jetojmë na, është i atakuar prej disa burimeve të dezinformates që vitet e fundit nuk e kanë qëllim me nda rajonin e Ballkanit pro dhe kundër, por kanë për qëllim me kriju qytetarin neutral., qytetarin që nuk ka qëndrim për ato që po ndodhin në botë. Dezinformata ka impakt të madh në përditshmërinë tonë, në vendimmarrjen tonë. E kemi të studiuar dhe matur, kemi zhvilluar eksperimente sociale. Njerëzit edhe shëndetin janë t’u u mundu me trajtu në bazë të dezinformatave. Kjo na tregon që jemi shumë të ekspozuar përball një të pavërtetë dhe një informacioni që nuk e dimë ku e marrim”- u shpreh ai.
Ndërsa tha se e vetmja tabelë qitje për ta trajtuar problemin deri tash kanë qenë mediat, pasi sipas tij gjithmonë mediat e gazetarët janë fajësuar.
Por, ai tha se trajtimi i dezinformimit është problem gjithë-shoqëror.
Redaktori i Krypometër, Visar Prebeza tha se shpesh herë faqet që shpërndajnë dezinformatat nuk e kanë qendrën në Kosovë.
Prebeza ka folur edhe për projektin “Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit”.
“Ky projekt është dizajnuar në bazë të studimeve paraprake. Në projekt kemi përfshi identifikimin e informacioneve të rreme që synojnë me cenu integritetin territorial, që synojnë me ngrit tension ndër-etnik, informacione të rreme që mund të jenë të sponsorizuara nga jashtë”- tha ai.
Prebreza foli edhe për edukimin medial në masë, duke thënë se duhet të mendohet për emisione edukative, trajnim të gazetarëve e moderatorëve në mënyrë që emisionet të bëhen bazuar në verifikimin e fakteve. /Kallxo.com/Katror.info