“Kosovarja” e fotografit Afrim Hajrullahu është një homazh artistik që përmes fotografive bardh e zi dhe rrëfimit dokumentar nderon forcën, dinjitetin dhe qëndresën e gruas kosovare gjatë viteve të ’90-ta, duke e shndërruar kujtesën historike në përvojë të thellë emocionale dhe reflektim shoqëror.
Shkruar nga Skender Boshtrakaj, kurator
Në datat 16 dhe 17 tetor, në Kino Armatë të Prishtinës, u prezantua projekti “Kosovarja” i fotografit të njohur Afrim Hajrullahu, përmes një video-projeksioni dokumentar që solli për publikun imazhe bardh e zi të kujtesës kolektive.
Ekspozita, kushtuar grave dhe vajzave të Kosovës gjatë viteve të ’90-ta, ndërthurte artin vizual me rrëfimin historik, duke e shndërruar fotografinë në një medium të fuqishëm të kujtesës dhe reflektimit shoqëror.

Ngjarja u hap me fjalën e Lum Hajrullahut, djalit të autorit, i cili tha se “projekti i dedikohet gjyshes sime Emines, nënës së Afrimit, dhe të gjitha grave të Kosovës që kanë bartur me dinjitet barrën e kohës”.
Ai ftoi Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, si mbështetës të projektit, për të mbajtur një fjalë rasti. Ministri Çeku vlerësoi autorin për përkushtimin e tij artistik, për dokumentimin me ndjeshmëri të historisë së Kosovës përmes fotografisë, si dhe për kontributin e rëndësishëm që puna e tij jep në ruajtjen e memories kolektive të shoqërisë.
Video-projeksioni i “Kosovares” është i komponuar në mënyrë tematike, duke paraqitur kapituj që shpjegojnë jetën, sakrificën, shpresën dhe dinjitetin e gruas kosovare gjatë viteve të ’90-ta.’
Fotografitë bardh e zi, që janë shenja dalluese e stilit të Afrim Hajrullahut, shoqërohen nga narracioni i vetë autorit, i cili jep kontekstin e imazheve, përjetimin e tij personal dhe porosinë që mbart secila fotografi.
Ky kombinim i imazhit dhe fjalës krijon një përjetim të thellë emocional, ku fotografia nuk mbetet vetëm dokument historik, por bëhet poezi e kujtesës dhe nderimit.
Kolona zanore e dokumentarit, e kompozuar nga Lis Boshtrakaj, sjell një dimension emocional shtesë, duke e shoqëruar vizualitetin me një atmosferë që gërsheton dramën, melankolinë dhe forcën.
Muzika e Lisit nuk ilustron, por bashkëfrymon me imazhet, ajo ndihmon publikun të hyjë më thellë në përjetimin e realitetit të atyre viteve dhe e shndërron projeksionin në një përvojë të plotë ndijimi.
Ngjarja përfshiu edhe promovimin e librit fotografik “Kosovarja”, në të cilin janë përmbledhur një pjesë e imazheve dhe rrëfimeve të autorit.
Për fotografinë dhe librin në tërësi kanë shkruar David Gothard CBE dhe Jeff Weddle, të cilët janë gjithashtu pjesë e botimit.
Në reagimin e tij, Weddle ka theksuar: “Ky libër është madhështor. Unë qava.”
Publiku pati gjithashtu mundësinë të marrë postera të printuar në format artistik, të cilët mund të kornizohen si kujtesë e gjallë dhe e përhershme, një mënyrë e thjeshtë, por domethënëse, për ta mbajtur artin dhe historinë pranë përditshmërisë.
Pas projeksionit, kokteji i rastit u shndërrua në një hapësirë të hapur dialogu, ku u diskutua për fotografinë si formë dokumentimi dhe arti, për estetikën e saj si gjuhë të kujtesës, si dhe për rolet bashkëkohore të gruas në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe më të vetëdijshme.
Publiku reagoi me emocion dhe respekt, duke e vlerësuar projektin “Kosovarja” si një ngjarje kulturore me ndjesi të veçantë dhe kuptim të thellë shoqëror.
Në “Kosovarja”, gruaja shfaqet si qendër morale dhe vizuale e përvojës kolektive, jo si figurë e dytë e historisë, por si subjekt aktiv dhe bartëse e jetës shoqërore.
Përmes trajtesës bardh e zi që karakterizon punën e Afrim Hajrullahut, fotografia shndërrohet në mjet të ndjeshëm interpretimi dhe komunikimi, që thekson dinjitetin, identitetin dhe rolin qendror të gruas në narrativën historike të Kosovës.
Me “Kosovaren”, Afrim Hajrullahu dëshmon se fotografia artistike mund të tejkalojë kufijtë e dëshmisë historike, duke u bërë formë reflektimi mbi identitetin, kujtesën dhe dinjitetin njerëzor.