Një tjetër histori suksesi po shkruhet për sportin kosovar! Lojtari i talentuar i Klubit të Pingpongut Prishtina, Enes Domaniku, ka arritur një moment historik duke u bërë kosovari i parë që merr pjesë në Superligën e Turqisë, një nga kampionatet më të forta të pingpongut në Evropë, njofton KPP Prishtina.
Pas viteve me ushtrime intenzive me klubin e tij në Kosovë, KPP Prishtina -M dhe paraqitjeve të suksesshme në garat rajonale, Enesi ka arritur të nenshkruajë marreveshje me ekipin turk Tokat Bld. Spor, i cili garon në elitën e pingpongut turk.
Ai i është bashkuar ekipit si lojtar kyç, duke sjellë energji të re në ekipin turk.
Ky transferim përbën një moment historik jo vetëm për Enesin, por për gjithë komunitetin e pingpongut në Kosovë, duke dëshmuar se puna e palodhur dhe përkushtimi mund të çojnë sportistët kosovarë drejt majave të sportit evropian.
“Është një ndjenjë e veçantë të përfaqësosh vendin në një ligë kaq të fortë. Do të jap më të mirën time për të nderuar Kosovën dhe klubin tim Prishtina”, ka thënë Domaniku pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Klubi i Pingpongut Prishtina ka shprehur krenarinë e madhe për arritjen e lojtarit të saj, duke theksuar se ky sukses është fryt i një pune të gjatë me gjeneratat e reja dhe një motivim i fuqishëm për të gjithë sportistët e rinj në Kosovë.
Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të madh për Enesin dhe një frymëzim për gjithë të rinjtë që ëndërrojnë të arrijnë suksese ndërkombëtare përmes sportit./Katror.info