Kur në muajin shtator Apple njoftoi AirPods Pro 3, kompania prezantoi gjithashtu për to funksionin Live Translation, po ashtu si për AirPods 4 me ANC dhe AirPods Pro 2.
Ky funksion punon kur kufjet AirPods janë të lidhura me iPhone-in, i cili mbështet Apple Intelligence dhe ka të instaluar iOS 26 ose version më të ri.
Gjatë prezantimit, funksioni mbështeste gjuhët angleze (MB dhe SHBA), frëngjishten, gjermanishten, portugalishten (Brazil) dhe spanjishten, por nuk ishte i disponueshëm në Bashkimin Evropian, shkruan Telegrafi.
Megjithatë, kjo do të ndryshojë shumë shpejt, sepse Apple ka njoftuar se Live Translation do të vijë në BE muajin e ardhshëm, pra në dhjetor.
Arritja e funksionit në BE u vonua për shkak të punimeve shtesë inxhinierike të nevojshme për përputhshmërinë me kërkesat e Ligjit për Tregjet Dixhitale, sipas Apple.
Tani, Live Translation punon me gjuhët: angleze, frënge, gjermane, portugalisht, spanjolle, italisht, kineze (mandarin i thjeshtuar dhe tradicional), japoneze dhe koreane. Ai ofron përkthime në kohë reale, duke ruajtur privatësinë e përdoruesit përmes përpunimit direkt në pajisje.
Kur dy persona, që flasin gjuhë të ndryshme, përdorin kufjet AirPods me funksionin e aktivizuar në iPhone, ANC ndihmon në uljen e volumit të zërit të personit tjetër, duke lehtësuar fokusimin te përkthimi dhe duke mbajtur bisedën më natyrale.
Nëse personi me të cilin po përpiqeni të komunikoni nuk ka kufje AirPods, mund të shfaqni drejtpërdrejt transkriptimin e gjuhës së tij në iPhone-in tuaj. Live Translation është gjithashtu i integruar në Messages, FaceTime dhe aplikacionin Phone, duke “mundësuar përkthim të qetë” pa marrë parasysh nëse po shkruani mesazhe apo po flisni. /Katror.info
















