Apple po përgatitet të fuqizojë asistentin e saj virtual Siri me një version të personalizuar të Gemini të Google, sipas një raporti të Bloomberg dhe gazetarit Mark Gurman.
Kompania e iPhone pritet të paguajë rreth 1 miliard dollarë në vit për të pasur qasje në këtë teknologji, e cila do të gjenerojë përmbledhje dhe do të kryejë detyra të lidhura me planifikimin, shkruan AP.
Bloomberg raporton se Apple do të ekzekutojë Gemini në serverat e saj Private Cloud Compute, megjithatë disa funksione të Siri-t do të vazhdojnë të mbështeten te modelet e zhvilluara brenda kompanisë.
Modeli Gemini do të përdorë 1.2 trilion parametra për të përmirësuar përgjigjet, shumë më tepër se modeli 150 miliard parametrash pas versionit cloud të Apple Intelligence.

Apple ka pasur sfida në implementimin e veçorive të reja me AI brenda Siri, pasi lëshimi i tyre u vonua.
Në qershor, Bloomberg raportoi se kompania kishte shqyrtuar përdorimin e modeleve nga OpenAI ose Anthropic për Siri-n e ri, përpara se të vendoste të bashkëpunonte me Google.
CEO i Apple, Tim Cook, i tha javën e kaluar investitorëve se Siri i ri pritet të dalë në pranverën e ardhshme, duke lënë hapësirë edhe për integrime të tjera të AI të palëve të treta brenda Apple Intelligence.
Megjithëse Apple po ecë përpara me marrëveshjen me Google, Bloomberg thotë se kompania do të vazhdojë zhvillimin e teknologjisë së saj AI, e cila mund të zëvendësojë Gemini në të ardhmen. /Katror.info
















