Shikimi i veprave origjinale të artit mund të ulë stresin, të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të forcojë sistemin imunitar, sipas një studimi të ri nga King’s College London – i pari i këtij lloji.
Në kërkim morën pjesë 50 vullnetarë: një grup vizitoi një galeri arti, ndërsa tjetri pa kopje të veprave në një ambient jo-artistik. Rezultatet treguan se tek ata që panë artin origjinal, niveli i kortizolit (hormoni i stresit) ra me 22 për qind, krahasuar me vetëm 8 për qind tek grupi tjetër. Për më tepër, u vu re një ulje deri në 30 për qind e citokinave pro-inflamatore, që lidhen me sëmundje kronike si problemet e zemrës, shkruan OGN Daily, transmeton Katror.info.

Pjesëmarrësit panë kryevepra të artistëve botërorë si Manet, Van Gogh dhe Gauguin, dhe studiuesit zbuluan se arti ndikon pozitivisht në sistemin imunitar, hormonal dhe nervor njëkohësisht – diçka që nuk ishte dokumentuar më parë.
“Dallimi mes atyre që panë artin origjinal dhe atyre që shikuan kopjet ishte i jashtëzakonshëm,” tha Dr. Tony Woods, udhëheqësi i studimit. “Rezultatet tona ofrojnë prova bindëse se vizita në galeri nuk është vetëm për shpirtin – por edhe për trupin.” /Katror.info












