Sot vazhdon nata e dytë e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).
Nata e parë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës u hap me performancën e këngës “Këngë Moj” të kompozitorit Musa Piperku, në interpretim të korit fantastik Siparantum dhe me dirigjimin e Memli Kelmendit. Ky moment hapi edicionin e tretë të festivalit, duke dhuruar një atmosferë të jashtëzakonshme në natën e parë të garës muzikore më të madhe të Kosovës.
Gjatë mbrëmjes, shikuesit ndoqën një seri performancesh që sollën ritëm, emocione dhe një larmi zhanresh. Njëzet konkurrentët, të përzgjedhur nga mbi 40 aplikime, përfshinë artistë të rinj dhe të afirmuar, duke garantuar një konkurrencë të fortë dhe spektakolare gjatë tri netëve të këtij festivali.
Performancat e natës filluan me Teutë Halili dhe këngën “Amin”, vazhduan me Almir Kraba me “Nuk ka si ti”, ndërsa skena u mbush më pas me baladat e Elmedinë Ramushi dhe Semi Tafaj, dhe më pas me interpretimet energjike të Arsi Bako, Laorjan Ejlli, Vjosa Shehu, Art Lokaj, Kiara Juba, Egzon Pireci, Klea Dina, Florent Abrashi, Bledi Kaso, Nita Latifi&Algert Sala, Arjeta Palushaj, Dea Berisha, Vlera Kastrati, Zerxhina Hasanaj, Santino De Bartolo dhe Xuxi.
Një moment të veçantë solli homazhi për Violeta Rexhepagiqin, ku moderatorja Rina Krasniqi dhe orkestra interpretuan një improvizim në kujtim të artistes, duke krijuar një atmosferë emocionuese dhe të paharrueshme.
Nata u përmbyll me një performancë të jashtëzakonshme nga 20 konkurentët e festivalit, të cilët interpretuan së bashku këngën “Baresha”, një kompozim i njohur i Rexho Mulliqit. Ky interpretim solli një përfundim madhështor të natës së parë, duke evidentuar trashëgiminë muzikore të Kosovës dhe energjinë e brezave të rinj të artistëve.
Nga “Këngë Moj” tek “Baresha”, por edhe me 20 këngët konkurruese, nata e parë e Festivalit të Këngës premtoi tre netë të mbushura me muzikë, emocion dhe konkurencë të fortë.
Nata e dytë e edicionin të tretë të festivalit mbahet të premten, në orën 21:00, ku po ashtu priten befasi të shumta./RTKlive/Katror.info
















