Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me drejtorët e departamenteve të Hetimeve, Njësive Speciale dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, realizuan një vizitë dyditore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Republikës së Kroacisë.
Vizita nisi me një takim bilateral mes drejtorit Hoxha dhe drejtorit gjeneral të Policisë Kroate, z. Nikola Milina, dhe vazhdoi me takime të përbashkëta me zëvendësdrejtorin Damir Bariç dhe drejtorët e departamenteve të të dy policive.
Gjatë këtyre takimeve u diskutuan tema kyçe si rendi dhe siguria publike, luftimi i krimit të organizuar dhe terrorizmit, krimi transkufitar, migrimi i paligjshëm, krimet e luftës, krimet kibernetike dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Synimi ishte rritja e bashkëpunimit dhe avancimi ndërinstitucional mes dy policive.
Delegacioni i Policisë së Kosovës vizitoi gjithashtu Komandën e Ndërhyrjes, ku u njoh me aktivitetet dhe pajisjet teknologjike të përdorura nga njësitë speciale, përfshirë dronët dhe antidronët.
Takimet e suksesshme rikonfirmuan bashkëpunimin profesional mes dy institucioneve, duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit, trajnime profesionale dhe shkëmbim përvojash në fushën e zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Krerët e policive u zotuan të vazhdojnë bashkëpunimin, zbatimin e memorandumeve të mirëkuptimit dhe përkrahjen e anëtarësimit të Policisë së Kosovës në organizatat ndërkombëtare ligjzbatuese./Katror.info











