Në kuadër të kampanjës “Ajri jonë, jo i KEK-ut”, e inicuar nga fëmijët e Environmental Children Assembly (ECA) dhe Asambleja Komunale e Fëmijëve (AKF) si pjesë e iniciativës Generation Hope, gjatë kësaj jave u zhvillua një takim i veçantë me Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK).
Gjatë këtij takimi, fëmijët patën mundësinë t’i parashtrojnë pyetje drejtpërdrejt Drejtorit Ekzekutiv të Agjencionit dhe përfaqësuesve të tjerë lidhur me cilësinë e ajrit, monitorimin dhe raportimin e të dhënave, si dhe për planet dhe masat që do të ndërmerren për përmirësimin e gjendjes në vitet e ardhshme.
Diskutimi u fokusua edhe në përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes mjedisore. Fëmijët ndanë ide konkrete, duke sugjeruar vendosjen e tabeleve digjitale në shkolla që tregojnë në kohë reale për cilësinë e ajrit, si dhe thjeshtimin e qasjes në të dhënat publike, për t’i bërë ato më të arritshme për ta.
Një falënderim i veçantë u shpreh për Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe përfaqësuesit institucional për mikpritjen, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të bashkëbiseduar me fëmijët.
Ky aktivitet nënvizon rëndësinë e angazhimit të fëmijëve dhe të rinjve në ruajtjen e mjedisit dhe promovimin e një ajri më të pastër për të gjithë./Katror.info











