Në kuadër të fazës së fundit të projektit për rritjen e sigurisë publike në Kryeqytet, autoritetet kanë instaluar 24 kamera me njohje automatike të targave (ANPR), 6 kamera multisensor dhe 1 kamerë rrotulluese PTZ.
Këto kamera janë vendosur në pika strategjike të qytetit, përfshirë Veternikun (te Shelli, ura dhe rruga kryesore Prishtinë–Ferizaj), rrugën “B” (te rrethi te Maxi dhe barnatoret), hyrjet e shkollave “Pavarësia” dhe Ekonomike, si dhe hyrjen dhe daljen nga tuneli nën Kurriz dhe rrugën për Fushë Kosovë, përcjell Telegrafi.
Përveç kamerave të reja, në pikat ekzistuese janë shtuar edhe kamera ANPR për të përmirësuar monitorimin e trafikut dhe sigurinë në qytet. Me këtë fazë, numri total i kamerave të instaluara arrin 165 në 54 lokacione të ndryshme të Kryeqytetit.
Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, si pjesë e strategjisë për forcimin e sigurisë publike dhe menaxhimin e integruar të trafikut urban.
Autoritetet vlerësojnë se ky projekt do të kontribuojë në një Kryeqytet më të sigurt, të monitoruar dhe të mençur, duke rritur sigurinë e qytetarëve dhe efikasitetin e menaxhimit të trafikut. /Telegrafi/Katror.info











