Portreti i parë i shkrimtarit të madh Ismail Kadare është restauruar dhe zbulohet se është vepër e piktorit të njohur Vilson Kilica.
Restaurimi është kryer nga specialisti i Galerisë Kombëtare të Arteve, Olsi Laska, ndërsa identifikimi i autorit u bë nga studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka, raportojnë mediat në Shqipëri.

Piktura, e realizuar gjatë periudhës së studimeve të Kadaresë dhe Kilicës në Bashkimin Sovjetik, mendohet të jetë krijuar në vitin 1958.
Kjo vepër shënon një moment të rëndësishëm kulturor, jo vetëm për lidhjen e hershme të shkrimtarit me artin pamor, por edhe për reflektimin e ndikimit rus që shoqëron një pjesë të veprës së tij letrare.
Drejtoresha e “Shtëpisë-Studio Kadare”, Anisa Ymeri, ka deklaruar se portreti ishte në gjendje të rënduar dhe rrezikonte shkatërrimin e plotë.
Procesi i studimit dhe restaurimit, i nisur në janar të këtij viti, ka bërë të mundur ruajtjen e një vepre me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe artistike.
Pas restaurimit, portreti do të qëndrojë i ekspozuar në “Shtëpinë-Studio Kadare”, si pjesë e veprave të saj të përhershëm.
Ismail Kadare, lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936 dhe ndarë nga jeta më 1 korrik 2024 në Tiranë, mbetet figura më e njohur e letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Veprat e tij janë përkthyer në mbi 40 gjuhë dhe ai është nderuar me dhjetëra çmime letrare kombëtare e ndërkombëtare./AP/Katror.info
















