Portali i njohur ndërkombëtar WiwiBlogs, i cili prej më shumë se një dekade mbulon lajmet dhe ngjarjet më të rëndësishme rreth Eurovision Song Contest, i ka kushtuar një artikull të veçantë Festivalit të Këngës në RTK, duke e përshkruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Kosovë.
Në artikullin e tyre me titull “Kosovo: The Grand Final of the RTK’s Festivali i Këngës”, ata shkruajnë:
“Për të tretin vit me radhë, transmetuesi kosovar RTK ngre perden për një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vendit. Shpesh i përshkruar si ‘shfaqja simotër’ e Festivalit të Këngës në Shqipëri, versioni i RTK-së vazhdon të rritet në cilësi dhe ambicie, duke reflektuar ëndrrën eurovizive të vendit”.
WiwiBlogs thekson se programi i këtij viti ka sjellë bashkë artistë të rinj dhe të afirmuar, duke krijuar një përzierje të larmishme stilesh dhe tingujsh.
“Krahasuar me edicionet e kaluara, ndjehet një rritje e dukshme në prodhim, cilësi artistike dhe profesionalizëm. Hap pas hapi, Festivali i RTK-së po gjen identitetin e vet dhe po bëhet një platformë e besueshme për artistët që duan të ndajnë artin e tyre me publikun e gjerë”.
Në fund, WiwiBlogs e përshkruan këtë festival si një hap tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt skenës eurovizive – një event që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare./RTK/Katror.info











