Gejzeri Fly në shtetin e Nevadës është një mrekulli e veçantë që duket si e dalë nga një botë përrallash. Me ngjyra të gjalla dhe forma të çuditshme, ky fenomen natyror i krijuar aksidentalisht është sot një nga vendet më të veçanta që çdo vizitor duhet ta shohë.
Gejzeri ndodhet në Fly Ranch, një pronë prej rreth 3,800 hektarësh në veri të Nevadës, e blerë në vitin 2016 nga organizata Burning Man Project. Ai ndodhet rreth dy orë në veri të qytetit Reno, në skajin e shkretëtirës Black Rock Desert.
Historia e tij fillon në vitin 1916, kur banorët e zonës kërkonin ujë për ujitje dhe hapën një pus. Uji doli tepër i nxehtë dhe pusi u braktis, duke krijuar gejzerin e parë.

Në vitin 1964, një kompani energjie gjeotermale hapi një pus prove dhe e la pa e mbyllur siç duhet. Uji i nxehtë filloi të shpërthente nga vrima dhe depozitat e kalcium karbonatit nisën të grumbulloheshin çdo vit, duke formuar tre shtylla të mëdha që sot dalin mbi një fushë me bimësi të dendur.
Me kalimin e dekadave, depozitat u bënë rreth 2 metra të larta, me ngjyra të kuqe dhe jeshile që i japin pamjen e mahnitshme që ka sot. Shtyllat ende nxjerrin ujë të valë disa metra në ajër.
Shkencëtarët shpjegojnë se ngjyrat vijnë nga alga termofile, që rriten në mjedise të nxehta dhe të lagështa. Brenda shtyllave është zbuluar edhe kuarc, i cili në këtë rast po formohet shumë më shpejt se zakonisht – zakonisht nevojiten mbi 10 mijë vjet për t’u krijuar, çka e bën Gejzerin Fly një dukuri edhe më të jashtëzakonshme.
Gejzeri ndodhet rreth 20 milje në veri të Gerlach, një ndalesë e njohur në rrugën e quajtur Burner Byway. Ai mund të shihet lehtësisht nga rruga dhe shtëllungat e ujit të nxehtë janë të dukshme që nga larg.
Territori i Fly Ranch është pronë private dhe nuk është i hapur për publikun në mënyrë të lirë. Megjithatë, në bashkëpunim me organizatën Friends of Black Rock–High Rock, ofrohen ecje të udhëzuara natyrore që zgjasin 2 deri në 2 orë e gjysmë.
Këto ture zhvillohen në dy pjesë të pronës: në jug, ku ekspozohen vepra arti të Burning Man, si Shtëpia e Baba Jagës dhe projektet e Land Art Generator Initiative; dhe në veri, ku ndodhen ligatina, kafshë të egra dhe fenomene gjeotermale, përfshirë edhe vetë Gejzerin Fly. /AP/Katror.info
















