Google ka hyrë në debatin e shumëpërfolur rreth sigurisë së përdorimit të rrjeteve publike Wi-Fi – dhe lajmet nuk janë aspak të mira.
Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar prej kohësh se lidhja në rrjete publike Wi-Fi mund t’i ekspozojë përdoruesit ndaj mashtrimeve që mund t’u boshatisin llogaritë bankare. Këto rrjete falas janë bërë tashmë të zakonshme, nga kafenetë lokale e deri te aeroportet, dhe shpesh përdoren si zgjidhje për zonat me mbulim të dobët 4G/5G apo për të kursyer internetin personal të telefonit, shkruan The Sun, transmeton Katror.info.
Por, sipas Google, këto rrjete janë një terren i përshtatshëm për hakerët. “Rrjetet publike Wi-Fi shpesh janë të paenkriptuara dhe mund të shfrytëzohen lehtësisht nga sulmuesit,” paralajmëron kompania në raportin e saj “Behind the Scenes” mbi mashtrimet me mesazhe që prekin përdoruesit e Android-it.
Edhe agjenci të rëndësishme amerikane si FBI kanë këshilluar prej kohësh që përdoruesit të jenë shumë të kujdesshëm kur lidhen në Wi-Fi publik.
“Shmangni përdorimin e rrjeteve publike Wi-Fi sa herë që është e mundur,” thekson Google, duke shtuar se pajisjet Android shpesh janë të afta të zbulojnë dhe t’ju paralajmërojnë për mashtrime të mundshme.
Gjiganti teknologjik këshillon gjithashtu që përdoruesit të monitorojnë rregullisht llogaritë bankare dhe raportet e kreditit. “Shumë banka dhe kompani kartash krediti ofrojnë mjete falas për monitorim – përfitoni nga to,” përfundon Google. /Katror.info
















