Australia, kontinenti më me diell në botë pas rajonit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, po prodhon aq shumë energji diellore sa tashmë ka vendosur ta ndajë falas me qytetarët gjatë ditës.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 4 milionë familje australiane – gati gjysma e të gjitha shtëpive – kanë të instaluara panele diellore në çati. Këto prodhojnë më shumë energji sesa termocentralet me qymyr të vendit, duke krijuar një tepricë të madhe energjie në orët me diell, shkruan OGN Daily, transmeton Katror.info.
Në kuadër të planit të ri qeveritar të quajtur “Solar Sharer” (Ndarësi Diellor), kompanitë e energjisë do të jenë të detyruara të ofrojnë energji elektrike falas për tre orë gjatë ditës, edhe për qytetarët që nuk kanë panele diellore. Kjo nismë pritet të përfitojë veçanërisht qiramarrësit dhe banorët e pallateve, duke u mundësuar edhe atyre të marrin pjesë në “revolucionin diellor”.
Njëkohësisht, iniciativa synon të zvogëlojë përdorimin e energjisë gjatë natës, kur rrjeti elektrik mbështetet ende te qymyri dhe gazi. Qytetarët do të mund të karikojnë bateritë shtëpiake gjatë orëve falas dhe ta përdorin energjinë e ruajtur në orët e shtrenjta. Kjo pritet të nxisë instalimin privat të baterive dhe pajisjeve që mund të zhvendosin konsumin e tyre në orët ditore.
Sipas ekspertëve, masat e tilla do të ndihmojnë në balancimin e konsumit dhe prodhimit të energjisë, duke shmangur mbingarkesat në rrjet dhe duke ulur kostot për konsumatorët. “Duam që përfitimet e energjisë së ripërtëritshme të ndihen nga të gjithë, edhe ata pa panele diellore apo bateri,” deklaroi ministri i energjisë, Chris Bowen.
Ndërkaq, Tim Buckley, drejtor i think-tank-ut Climate Energy Finance, theksoi për Financial Times se ky plan “godet qymyrin edhe më shpejt dhe e bën gazin më pak të rëndësishëm”.
Në një zhvillim që tregon ritmin e jashtëzakonshëm të tranzicionit energjetik, bota sot shton një gigavat kapacitet të ri diellor çdo ditë – një arritje që para vetëm dhjetë vitesh kërkonte një vit të tërë.
Australia po hyn në epokën e energjisë falas nga dielli – një hap i madh drejt së ardhmes së gjelbër
Burimi: Only Good News Daily
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















