Një studim shkencor i gjerë, i udhëhequr nga studiuesit në Universitetin e Melburnit, zbuloi se gluteni ndoshta nuk është shkaku i vërtetë i simptomave të zorrëve që kanë bërë miliona njerëz në mbarë botën ta shmangin atë pa nevojë.
Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh nga Australia, Holanda, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar analizoi të dhëna shumëvjeçare mbi ndjeshmërinë ndaj glutenit te personat pa sëmundje celiake (NCGS) – një gjendje që përshkruhet si intolerancë ndaj glutenit, por pa reagimin autoimun që ndodh te sëmundja celiake.
Sipas gjetjeve të publikuara, vetëm një përqindje e vogël e njerëzve reagon realisht ndaj glutenit, ndërsa shumica nuk shfaqin dallime mes glutenit dhe një placebos në testime të kontrolluara.
Ndërkohë që rreth 10% e të rriturve në botë raportojnë fryrje, lodhje ose dhimbje barku pas konsumimit të ushqimeve me gluten, vetëm 16% deri në 30% e rasteve tregojnë reagime të vërteta ndaj glutenit, sipas studimit.
“Në kundërshtim me besimin e zakonshëm, shumica e personave me ndjeshmëri ndaj glutenit nuk reagojnë ndaj glutenit”, tha profesoresha e asociuar Jessica Biesiekierski, autore kryesore e studimit.
Çfarë janë FODMAPs?
FODMAPs janë karbohidrate të caktuara që gjenden në ushqime si qepët, gruri, fasulet dhe produktet e qumështit, të cilat mund të shkaktojnë fryrje ose shqetësime në tretje te disa persona. Edhe ushqimet e shëndetshme mund të kenë nivele të larta FODMAPs, prandaj mjekët shpesh rekomandojnë një dietë të kontrolluar nga specialisti për të identifikuar ndjeshmëritë.
Studimi e vendos NCGS si pjesë të një ndërveprimi më të gjerë midis zorrëve dhe trurit, të ngjashëm me sindromën e zorrës së irrituar, dhe jo si një çrregullim të veçantë të lidhur me glutenin.
Kjo lidhje, përfshin komunikimin dykahësh midis sistemit tretës dhe trurit përmes nervave, hormoneve dhe mikrobeve të zorrëve. Studimi përmend gjithashtu se tregu prej 11 miliardë dollarësh i produkteve pa gluten ka ndikuar në perceptimin publik mbi glutenin dhe ndjeshmërinë ndaj tij.
Gastroenterologia amerikane Leybelis Padilla tha se rezultatet përforcojnë atë që shumë ekspertë e kanë besuar prej kohësh.
“Këto gjetje vetëm sa konfirmojnë atë që komuniteti mjekësor e ka thënë gjithmonë — gluteni nuk është fajtori në shumicën e rasteve. Gluteni është demonizuar ndër vite dhe është transformuar në ‘shkaktarin’ e çdo problemi tretës apo inflamacioni në trup”, tha ajo.
Padilla rekomandon që kushdo me simptoma të vazhdueshme të konsultojë një gastroenterolog përpara se të vetë-diagnostikohet. /AP/Katror.info
















