Hapësira queer Bubble Pub në Prishtinë po fillon me një seri të pop-up ekspozitave, apo ekspozitave të shkurtëra, duke e hapur ciklin me ekspozitën “Postcards from Nowhere” të artistit Arif Pehlivani.
Kjo ekspozitë përmbledh një koleksion pikturash të krijuara ndër vite, ku përmes ngjyrave dhe formave, autori sjell reflektime personale, emocione të thella dhe udhëtime vizuale që mbartin në vete një ndjesi të fortë melankolie dhe minimalizmi.
Bubble ka njoftuar, se hapja zyrtare do të bëhet të mërkurën, më 12 nëntor, në orën 18:00, ndërsa ekspozita do të mbetet e hapur deri në mesnatë. Gjatë kësaj kohe, vizitorët do të kenë mundësi të eksplorojnë punimet e artistit, të përjetojnë një atmosferë kreative e të angazhohen në përkrahje të një kauze të rëndësishme shoqërore – një pjesë e të ardhurave nga shitja e pikturave do të dhurohet për mbështetjen e komunitetit queer në Kosovë.
Pehlivani (1978) njihet jo vetëm si artist vizual, por edhe si një figurë me kontribut të gjerë në kulturë e media. Ai ka qenë gazetar dhe redaktor kulture në “Koha Ditore” dhe “Express”, si dhe autor i emisionit “Kultura në Kosovë” (BIRN). Në karrierën e tij, ka koordinuar programe për trashëgimi kulturore në Këshillin e Evropës, si dhe projekte të BE-së për art e kulturë si “Culture for Change” dhe “Manifesta 14 – Western Balkans”. Është gjithashtu autor i librit me poezi dhe strip “OH!” dhe i lojërave edukative “Zbulo Prishtinën” dhe “Kush jam unë?”, që lidhen me kulturën dhe trashëgiminë.
Bubble Pub, e cila tashmë njihet si hapësira queer e vetme e këtij lloji në Kosovë, është e hapur për komunitetet LGBTQIA+ dhe për të gjithë ata që kërkojnë një ambient përfshirës dhe krijues në zemër të Prishtinës. Hapja e kësaj ekspozite në një hapësirë që promovon diversitetin dhe artin nënkupton një bashkëveprim mes kulturës vizuale dhe aktivizmit shoqëror – duke sjellë artin jashtë galerisë tradicionale dhe në një kontekst që fton përfshirje dhe dialog. /Katror.info











