Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njofton se është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 15 Qendra Komunale të Numërimit.
“Deri në orën 13:00 të së martës, është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 15 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë dhe Vit”, njofton KQZ.
Sipas KQZ-së, procesi i verifikimit po vazhdon në 2 komuna të tjera, ndërkaq në QKN e Mitrovicës së Jugut nuk është duke vazhduar për arsyet që janë bërë të njohura nga njoftimi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“KQZ do të vazhdojë të mbajë publikun të informuar në mënyrë të rregullt dhe transparente për çdo zhvillim lidhur me këtë proces. Të martën, në orën 14:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), njofton KQZ. /Katror.info











