Gazeta legjendare “Rilindja” po rikthehet në formatin e saj të plotë digjital, falë bashkëpunimit mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Arkivit Shtetëror të Kosovës.
Biblioteka Kombëtare ka nisur procesin e plotësimit të koleksionit të digjitalizuar të kësaj gazete ikonike, që për dekada ka qenë zëri kryesor i kulturës, politikës dhe jetës shoqërore shqiptare në Kosovë.
Në fondin e Bibliotekës kanë munguar disa numra të gazetës për periudhën 1945–1963, të cilët ruhen në fondet e Arkivit Shtetëror. Sipas marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar ndërmjet dy institucioneve, Arkivi po i digjitalizon këta numra për të mundësuar krijimin e një koleksioni të plotë digjital të “Rilindjes” në kuadër të projektit të Bibliotekës Kombëtare.
Kjo nismë pritet të ruajë dhe të bëjë më të qasshme një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit, duke ofruar mundësinë që studiuesit dhe publiku i gjerë të shfletojnë lirshëm arkivin digjital të gazetës.
Gazetën “Rilindja” mund ta gjeni në platformën digjitale të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në linkun:
👉 https://bibliotekadigjitale-ks.org/documents?query=Rilindja
/Katror.info











