Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me UNICEF-in, ka nisur procesin e trajnimit të trajnerëve për Kurrikulën e re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme (EFH), e cila u fokusohet fëmijëve nga zero deri në gjashtë vjeç në Kosovë.
Ky proces shënon përfundimin e një kapitulli dyvjeçar, ku shumë akterë kanë punuar për zhvillimin dhe pilotimin e Kurrikulës, e cila tashmë ka marrë aprovimin për t’u zbatuar. Njëkohësisht, ky është fillimi i një faze të re për zgjerimin e implementimit të saj në të gjithë vendin, me qëllim që fëmijët të zhvillohen dhe mësojnë në një mjedis që nxit lojën, eksplorimin dhe qasjen edukative të bazuar në nevojat dhe interesat e tyre, duke përfshirë edhe rolin aktiv të prindërve.
Trajnimi pesëditor do të pasojë me vlerësimin dhe përzgjedhjen e trajnerëve të Kurrikulës, duke mundësuar ngritjen e kapaciteteve të edukatorëve në nivel vendi për një zbatim cilësor. Sipas MASHTI-t, ky proces është një hap i rëndësishëm për sigurimin e të drejtës së çdo fëmije për edukim cilësor dhe për arritjen e potencialit të tij zhvillimor.
Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Ambasadës së Madhështisë së Dukatit të Luksemburgut në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Qendrën për Shërbime Humane dhe Zhvillim./Katror.info











