Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) sot ka filluar numërimi i fletëvotimeve të ardhura me postë nga votuesit jashtë Kosovës, që i përkasin raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave. Procesi, i paralajmëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nisi nga ora 10:00.
Sipas KQZ-së, mbi 9,800 pako me fletëvotime i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, prej të cilave më shumë se 7,240 janë aprovuar, ndërsa rreth 2,570 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit, sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezi, është mungesa e dëftesës së regjistrimit në mbi 2,500 raste—dokument ky me të dhëna unike që u dërgohet votuesve të regjistruar.
Elezi bëri të ditur për RTKlive se më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, janë tërhequr gjithsej 13,084 pako të supozuara me fletëvotime, që i takojnë votimit me postë për këtë raund zgjedhor. Pjesa më e madhe e këtyre pakove tashmë ka mbërritur në Kosovë.
Ai shtoi se pas përfundimit të vlerësimit, KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove që do t’i nënshtrohen numërimit në QNR./Katror.info











