Kosova të shtunën mbrëma ka arritur sukses historik në futboll. Më fitoren 2:0 në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë ndaj Sllovenisë, Kosova e ka siguruar plejofin e Kampionatit Botëror 2026, që në vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
Me këtë triumf, Dardanët arrijnë në kuotën e 10 pikëve, duke siguruar matematikisht play-offin, ndërsa grupi kryesohet nga Zvicra me 13 pikë. Sllovenia mbetet në kuotën e 3 pikëve, ndërsa Suedia mbyll renditjen me vetëm 1 pikë.
Ndeshjen e fundit në grup, Kosova e luan ndaj Zvicrës më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova e siguron pozitën e dytë me dhjetë pikë, tri më pak se Zvicra që fitoi ndaj Suedisë. Renditja përcaktohet pas pikëve me goldallim. E këtu Zvicra ka diferencë të madhe me 12 gola goldallim, ndërsa Kosova ka vetëm një gol goldallim.
Sllovenia me tri pikë dhe Suedia e fundit me një pikë zënë vendet e fundit në Grupin B.
***
Kosova dyfishon epërsinë
Kosova e ka dyfishuar epërsinë ndaj Sllovenisë.
Mbrojtësi Zan Karnicnik shënoi autogol në minutën e 64-t për 2:0 në të mirë të “Dardanëve”.
***
Kosova shënon në minutat e parë ndaj Sllovenisë
Kosova shënon nga Asllani që në minutat e parë ndaj Sllovenisë.
Fisnik Asllani e ka kaluar Kosovën në epërsi prej një goli ndaj Sllovenisë. Sulmuesi i Hoffenheimit në Bundesligën gjermane ka realizuar supergol në minutën e gjashtë.

Asllani e pranoi topin në zonë, u shmang bukur nga një mbrojtës, dhe për mrekulli realizoi me gjuajtje zhargas në portën e Jan Oblakut për 1:0.
***
Ka nisur ndeshja mes Sllovenisë dhe Kosovës. “Dardanët” kërkojnë se paku një pikë për ta siguruar vendin në play-offin e Kampionatit Botëror 2026.
Ndeshja po zhvillohet në kryeqytetin slloven, Lubjanë, ku “Dardanët” i kërkojnë tri pikë për të shkuar tutje.
Kosova ndodhet aktualisht në vendin e dytë në grup dhe, nëse arrin një barazim sonte, do ta sigurojë këtë pozitë dhe do të futet në barazh. Përballja e parë mes dy ekipeve në Prishtinë kishte përfunduar pa fitues.
Në të njëjtën kohë është duke u zhvilluar edhe ndeshja tjetër e grupit, Zvicër-Suedi, me Zvicrën që për momentin kryeson renditjen.
Kosovën e pret një ndeshje po aq e rëndësishme javën e ardhshme në Prishtinë ku do të përballet pikërisht me Zvicrën./Katror.info
















