Jo të gjithë shokët e fëmijës do t’ju pëlqejnë – dhe herët a vonë, ai do ta sjellë në shtëpi dikë me të cilin thjesht “s’ngroheni dot”.
Ndoshta fëmija është i pasjellshëm, tepër i vetëbesuar, apo i bie frigoriferit pa pyetur. Ose ndoshta ndikimi i tij mbi fëmijën tuaj ju duket i gabuar. Në vend të një ndalese të menjëhershme – e cila rrallë e zgjidh problemin – ekspertët këshillojnë tri qasje më të mençura, shkruan BBC, transmeton Katror.info.
1.Analizoni pse nuk ju pëlqen ky shok
A bëhet fjalë për sjellje të rrezikshme, mungesë respekti apo bullizëm? Apo thjesht për një bezdi të vogël që ju prek nervat?
Trajnerja e prindërimit, Sue Atkins, sugjeron një “vetë-auditim” para reagimit. Nëse situata përfshin rrezik real, është momenti të ndërhyni më ashpër. Por kur problemi lidhet me zakone të këqija apo mungesë manirash, ju mund të jeni shembulli që dëshironi fëmija juaj të ndjekë.
Komedianja dhe nëna e katër fëmijëve, Ria Lina, thotë se fëmijët nën kujdesin e saj ndjekin rregullat e saj. “Nëse një fëmijë mban këmbët mbi sedilje, unë ia tërheq vëmendjen. Kjo vlen për të gjithë,” thotë ajo.
Shpesh, sipas Linës, mospëlqimi buron nga “përplasja e vlerave mes prindërve”. Një bisedë e qetë me prindin e tjetrit mund të ndihmojë të gjeni një mes të artë.
2.Flisni – mos ndaloni

Ndalesat strikte funksionojnë rrallë. Madje mund të kthehen në ‘boomerang’, duke e shtyrë fëmijën t’i afrohet edhe më shumë mikut që ju s’e pëlqeni.
Atkins këshillon biseda të sinqerta: pyeteni fëmijën pse i pëlqen ai shok, çfarë kanë të përbashkët dhe çfarë i argëton bashkë.
Zgjedhni momentin e duhur dhe shmangni tonin kritik, sepse fëmijët mbyllen menjëherë. “Synoni të ndërtoni ura, jo mure,” thotë ajo.
Lina shton se është e rëndësishme të ndani qartë se cila sjellje nuk ju pëlqen dhe nuk doni ta shihni te fëmija juaj – pa e ndaluar vetë miqësinë.
3.Zgjeroni rrethin shoqëror

Nëse fëmija juaj duket i “bllokuar” në një miqësi që ju shqetëson, ndihmojeni të zgjerojë rrethin.
Ftoni kushërinj, organizoni takime me fëmijë të tjerë, regjistrojeni në aktivitete sportive apo jashtëshkollore – gjithçka që krijon lidhje të reja.
Jo çdo miqësi është e përhershme. Shumë prej tyre janë faza kalimtare, veçanërisht gjatë pushimeve apo adoleshencës.
Modeloni ju vetë miqësitë që dëshironi të shohë fëmija: respekt, mirësi dhe kufij të shëndetshëm. Fëmijët mësojnë më shumë nga ajo që shohin, sesa nga ajo që u thuhet.
Në fund, qëllimi nuk është të kontrolloni se kush hyn në jetën e fëmijës suaj, por ta udhëzoni të bëjë zgjedhje më të mira – pa e humbur besimin e tij. /Katror.info
Burimi: BBC
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















